Rekomandimet e MSH-së për mostestim të rasteve të kontakteve, ngjallin reagime të shumta

Reagime të shumta ka ngjallur rekomandimi i Ministrisë së Shëndetësisë dërguar komunave të Kosovës, që të mos testohen kontaktet e rasteve të infektuara me Covid-19 e që janë pa simptoma.

Paraditen e së hënës një rekomandim për përditësimin e strategjisë së testimit u është dërguar pothuajse të gjitha komunave, raporton KOHA.

Sipas rekomandimit, shkaku i kapaciteteve të kufizuara laboratorike pas rritjes së numrit të rasteve, testimi duhet të bëhet në bazë të disa kritereve.

Një gjë të tillë e ka kërkuar ditë më parë edhe i pari i kryeqytetit, Shpend Ahmeti, e që, sipas drejtorit të Shëndetësisë, kjo mund të ndikojë në menaxhim më të mirë të situatës me pandeminë.

Ministria e Shëndetësisë gjatë ditës ka dërguar një komunikatë në të cilën sqaron se për testim do të dërgohen vetëm rastet e kontaktit që kanë simptoma e ata që janë asimptomatikë do të udhëzohen për vetizolim.

.Një gjë të tillë po e kundërshton anëtari i Komisionit për Shëndetësi nga Lëvizja Vetëvendosje, Fitim Uka, duke e quajtur këtë ndryshim papërgjegjësi të kësaj qeverisjeje.

Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, disa herë kishte deklaruar se së shpejti në Kosovë do të fillojnë me testime në masë dhe se me rritjen e numrit të të infektuarve nuk parashihej ndonjë rikthim i masave rigoroze. /koha/