Rektori i Ferizajt akuzon Bytyqin për kërcënim dhe ndërhyrje në Universitet

Kërcënim dhe ndërhyrje në pavarësinë e Universitetit po e konsideron rektori i Universitetit të Ferizajt, Agron Bajraktari, një letër që ministri në largim i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT), Shyqiri Bytyqi, ia ka drejtuar javën e kaluar.

Përmes kësaj letre që mban datën 14 nëntor, ministri e ka kritikuar ashpër rektorin Bajraktari përse nuk është konstituuar Këshilli Drejtues i Universitetit. Po ashtu, e ka qortuar përse u është kërkuar CV-ja 3 anëtarëve që ai i ka emëruar më 10 shtator në Këshillin Drejtues të këtij universiteti, shkruan Koha Ditore.

Këshilli Drejtues i Universitetit të Ferizajt ka 7 anëtarë, 3 prej të cilëve emërohen nga ministri, kurse 4 zgjidhen nga Universiteti. Statuti i këtij universiteti përcakton se kryesuesi dhe zëvendëskryesuesi i Këshillit duhet të jenë nga radhët anëtarëve që i emëron ministri. Këshilli Drejtues i Universitetit të Ferizajt nuk është konstituuar ende, meqë anëtarët që zgjidhën nga Universiteti kanë kërkuar që paraprakisht ta shohin biografinë e 3 të emëruarve nga ministri Bytyqi.

Gazeta ka kërkuar një qëndrim nga ministri rreth letrës së tij drejtuar rektorit Bajraktari dhe pretendimeve të tij për kërcënim, por ai nuk është përgjigjur.

Bytyqi në letrën e tij e ka quajtur të paarsyeshme vonesën për thirrjen e mbledhjes së Këshillit Drejtues për zgjedhjen e organeve udhëheqëse.

“Tejkalimi është skandaloz, si për kërkimin e CV-ve nga të emëruarit e ministrit, po ashtu edhe për kërkesën e planit strategjik para konsolidimit të organeve të Këshillit Drejtues. Çuditem ku e merrni këtë guxim dhe me ç’bazë veproni kaq jashtëligjshëm apo udhëhiqeni nga qëllime tjera, mbase edhe meskine, në tërë këtë paudhësi tënden”, thuhet në letrën e Bytyqit. /koha.net/