Reparti i shtatzënave me Covid është i ndarë nga repartet tjera në Gjinekologji të QKUK-së

Reparti i grave shtatzëna të cilat janë të dyshuara ose të konfirmuara me Covid-19, është i ndarë dhe i izoluar nga repartet tjera në Klinikën e Gjinekologjisë në QKUK.

Këtë e ka konfirmuar drejtori i Klinikës Dr. Jakup Ismajli, pas disa raportimeve në rrjetet sociale se të njëjtat pastruese në repartin e Covidit, punojnë edhe në repartin e shtatzënave tjera.

“Nuk është e vërtetë që pastrueset e njëjta pastrojnë në repartin Covid dhe në repartin e shtatzënave tjera”, ka deklaruar Ismajli.

“Ju e dini se repartin e konservativës ne e kemi shndërruar dhe izoluar për gratë shtatzëna të dyshuara ose të konfirmuara me Covid pozitiv. Ai repart nuk ka qasje në repartin e grave shtatzëna dhe lehonave në KOGJ”, ka deklaruar Ismajli.

Gazeta pati raportuar për këtë repart të izoluar muaj më parë nga Klinika e Gjinekologjisë. Në këtë repart janë funksionalizuar dy salla për lindje, një për lindje normale dhe një për lindje me operacion cezarian. /Gazeta Shneta/