Respekton vendimin e Veselit, dorëhiqet ministri Beqaj

Ministri i Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, Besim Beqaj ka bërë të ditur se mëngjesin e sotëm e ka paraqitur dorëheqjen e tij te kryeministri Ramush Haradinaj.Në një konferencë për media, Beqaj tha se vendimi i djeshëm i kryetarit të partisë, Kadri Veselit, ka dalë nga diskutimi i përbashkët në parti.“Vendimin e konsideroj si angazhim të përbashkët të strukturave të PDK’së, pjesë e të cilave jam edhe unë, me qëllim që të eliminohen akuzat për zyrtarët e PDK’së”, ka thënë Beqaj.

Ai është shprehur i bindur se është i pafajshëm.“Në rastin tim jam i bindur se aktakuzat janë të pabaza dhe drejtësia do ta vërtetoj këtë. Secili është i pafajshëm derisa të mos provohet e kundërta. Respektone këtë. Drejtësia do ta provojë këtë. Vepra për të cilën po gjykohem nuk ka asnjë element të veprës penale. Aktakuza ka një mal të metësh dhe është drejtësi selektive. Ju ftojë ta përcillni procesin në gjykatë. Në rast të procesit të drejtë gjyqësor, do të lirohem nga aktakuza. Gjatë angazhimit tim politik, edhe privat edhe publik unë jam udhëhequr nga dy parime: zbatimi i ligjit dhe profesionalizimi”, shtoi ai.Tutje, ai tha se është krenar për projektet që ka realizuar gjatë punës së tij si ministër.

“Jam krenar për projektet që kam realizuar. Kemi arritur të hartojmë legjislacion për të vendosur se çka është e rëndësishme. Të krijojmë mundësi për të rinjtë në ndërmarrësi, pasi i kemi përkrahur me fonde. Ju siguroj se kjo sfidë do të kalojë shpejt dhe do të dalë e vërteta. Jam i bindur se akuza do të bie poshtë. I falënderoj të gjithë për bashkëpunimin që kemi pasur”, ka thënë Beqaj tutje.