Revolucion!

Rezultatet preliminare për zgjedhjet e 6 tetorit sollën një rokadë të paparë politike gjatë ditës së djeshme. Duke ndëshkuar partitë, që për vite të tëra ishin në qeverisje, elektorati ia dha besimin Lëvizjes Vetëvendosje, subjekt ky i cili asnjëherë nuk ka qeverisur me vendin deri më tash, shkruan gazeta “Zëri”.

Zgjedhjet e 6 tetorit sollën ndryshim të rrënjësishëm në skenën politike në Kosovë. Me dalje prej rreth 45 për qind në zgjedhje, qytetarët dje ndëshkuan ashpër partitë të cilat qeverisën me shtetin e Kosovës që nga paslufta.

Rrjedhimisht, sovrani përcaktoi si fituese Lëvizjen Vetëvendosje, e cila sipas rezultateve preliminare mori rreth 26 për qind të votave. Menjëherë pas LVV-së u rangua LDK-ja, e cila pavarësisht tentimeve për ta rikthyer primatin e dikurshëm nuk ia doli ta bëjë një gjë të tillë.

Ndërkohë, derisa PDK-ja u radhit e treta nga rezultatet preliminare, të publikuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), AAK-ja ngeli e katërta, ndonëse në këto zgjedhje të parakohshme parlamentare garoi në koalicion me PSD-në. Kurse Nisma Socialdemokrate, e cila në zgjedhje u bë bashkë me AKR-në e me PD-në, sipas rezultateve të para nuk ka arritur ta kalojë fare pragun zgjedhor. /Zëri/