“Revolucioni jemi ne”

Bienalja Ndërkombëtare e Artit Bashkëkohor “Autostrada Biennale” hapë dyert për publikun.

Dje në Prizren, u bë hapja solemne e edicionit të dytë të festivalit Autostrada Biennale. Këtë edicion, kuratori Giacinto Di Pietrantonio, ka zgjedhur temën “Revolucioni jemi ne”, inspiruar nga një vepër e artistit të madh Joseph Beuys.

Artistët të cilët po marrin pjesë me punët e tyre në festivalin Autostrada Biennale janë:
Giulio Alvigini (Itali), Apparatus 22 (Rumani), Levent Bütüçi (Kosovë), Nemanja Cvianovič (Kroaci), Lana Čmajčanin (Bosnje dhe Hercegovinë), Mirza Dedač (Serbi), Jan Fabre (Belgjikë), Jakup Ferri (Kosovë), Lek M. Gjeloshi (Shqipëri), Emre Hüner (Turki), Hristina Ivanoska (Maçedonia e Veriut), Lorena Kalaja (ShBA), Sanja Latinović (Serbi), Iva Lulashi (Shqipëri / Itali), Mucci Comics – Marco Mucci and Matteo Pomanti (Itali), Fatmir Mustafa Karllo (Kosovë), Orkide Collective (Kosovë), Anatoly Osmolowski (Rusi), Adrian Paci (Shqipëri), Tommaso Pincio (Itali), Ilija Šoškić (Mali i Zi), Somer Şpat (Kosovë), Giuseppe Stampone (Itali), Lola Sylaj dhe Dardan Zhegrova (Kosovë), The Cool Couple – Niccolò Benetton dhe Simone Santilli (Itali), Francesco Vezzoli (Itali) dhe Driant Zeneli (Shqipëri).

Në kuadër të këtij festivali, sot, në Hamamin e “Gazi Mehmed Pashës”, filloi konferenca tri ditore për artin bashkëkohor ku në ditën e parë temë e konferencës ishte “Revolucioni jemi ne”, ku në panelin e moderuar nga Hajrullah Çeku morrën pjesë: kuratori i festivalit Giacinto Di Pietrantonio, artisti Sislej Xhafa, filozofi Yehuda Emmanuel Safran dhe kuratori shqiptar Klod Dedja.

Image may contain: 13 people, people smiling, wedding, crowd and outdoor


Diskutimi u zhvilluar rreth asaj që panelistët e përmendën disa herë: mundësia e luftimit të devalvimit të vlerave kulturore nëpërmjet mendimit revolucionar brenda artit. Sepse ideja e Revolucionit, në këtë rast për kuratorin Giacinto, është gjuha e artit. Giacinto tregon se ‘La Rivoluzione Siamo Noi’ e bënë të mendoj më shumë për revolucionet personale, dhe në rastin e artit, për ato gjuhësore, dhe jo aq shumë për revolucionet politike. Sepse, siç e tha edhe e vetë ai: “arti, edhe kur nuk duket i tillë, është gjithmonë bartës i risive, i hapjes, i ndryshimit dhe mbi të gjitha, i lirisë. Kurrë nuk e kam menduar artin si një fakt estetik apo kënaqësi soditëse, por një shprehje e dendur njerëzore e etikës dhe e estetikës.”
E, Rezistenca, për artistin Sislej Xhafa është ekzistenca. “Rezistenca buron nga arti, filmi, poezia.” Ai i shtoi diskutimit të tij edhe pjesën se si njerëzit duhet të mendojnë më shumë për komunitetin se sa për veten. Kurse, kur fjalën e morri filozofi Yehuda Emmanuel Safran, ai bëri një analizë historike të revolucioneve. Në mes fjalëve të tij të pasura ai na shtjelloi shumë koncepte të tjera. Foli për filozofë, shkencëtar, autor, njerëz të fushave të ndryshme të cilët në formën e tyre e kanë bërë revolucionin. Shembull, Giordano Bruno për të është revolucionari më i madh. Apo, se si koncepti i nostalgjisë lindë nga malli i madh për shtëpinë. E, shumë koncepte të tjera të cilat, të pranishmëve u dha një dozë shtesë në këndvështrimin e tyre për Revolucionin. Kur vëmendja u zhvendos pasi u kalua fjala tek kuratori shqiptar Klod Dedja, ai të pranishmëve ua dha një performancë të cilën di të bëjë vetëm ai. Por, pas saj ai shtoi se pa Revolucion ne nuk mund të ekzistojmë.

Gjersa konferenca do të vazhdojë edhe dy ditët e ardhshme, nga sot Stacioni i Autobusëve, Muzeu Arkeologjik, Gjimnazi “Gjon Buzuku”, ish-burgu (Shatërvan) dhe Kalaja, do të jenë të hapura për t’u vizituar deri me 21 shtator. Ejani dhe vizitoni veprat e këtyre artistëve që për vite të tëra nuk
pushojnë së punuari.