Ridvan Berisha suspendohet nga puna në RTK, një javë pasi ia “tregoi dhëmbët” Kurtit

Gazetari i RTK-së, Ridvan Berisha njofton se është suspenduar nga puna në transmetuesin publik.

Berisha ka përmendur kryeministrin aktual, Albin Kurti dhe disa kolegë të tij në RTK, të cilët sipas tij kanë ndikuar në suspendim.

Ai i quan oportunistë Festim Kabashin, Xhymret Veliun dhe Ngadhnjim Kastratin.

“Ne ekran s’do te jem per sa kohe qe komisini disiplinor ta trajtoje çeshtjen e persekutimit, ju e znj Osmani e tifozet toksike tuaj natyrisht qe festojne”, shkruan ai ndër të tjera në Facebook.

Të martën e javës së kaluar, Berisha shpërfaqi skepticizmin e tij kundrejt kryeministrit të ri të Kosovës edhe në edicionin e së martës të emisionit “DEBAT”.

Emisionin e asaj nate, të fokusuar në ardhjen e dytë të Kurtit në krye të qeverisë, Berisha e kishte titulluar: “Kurti 2, pushtet shprese apo pritje për dyz?!”.

Titulli, i cili i referohej retorikës së liderit të Lëvizjes Vetëvendosje për t’i mbajtur në përgjegjësi funksionarët e regjimeve të kaluara të cilët dyshohen për keqpërdorime dhe emërime të dyshimta në pozicione politike, sipas Berishës, mund të mos u pëlqente eprorëve të tij në Transmetuesin Publik.

Por, ai kishte thënë se vija redaktoriale e emisionit të tij nuk ndryshon me mbërritjen e Kurtit në pushtet. Kishte thënë se ka autonomi mbi emisionin e tij, edhe nëse veprimet e tij do të nënkuptonin shkarkimin e mundshëm nga funksionet që ushtron në televizionin publik.

“Titulli eprorëve të mi mund të mos u pëlqej, të cilët edhe mund të reagojnë. Ndoshta eprorët e mi mund të rrinë nga pak në siklet ndoshta… por, përshëndetje! Kam autonomi në këtë studio, edhe nëse nesër-pasnesër mund të mos jem në këtë studio”, ka thënë Berisha, teksa në dy momente ka goditur me dorë tavolinën e vendosur në studion e emisionit, në shenjë vendosmërie përkitazi me vlerësimet e tij për Qeverinë Kurti 2.

Postimi i tij i plotë:

Albin Kurti, nje pune sapo te mbaruan oportunet e konformistet, drejtues ne RTK, Festim Kabashi me Xhymret Veliun, nen mbeshtetjen e Ngadhnjim Kastratit. Me suspeduan ne diten e pare qe ju e moret ta udheheqni Qeverine duke e kamufluar suspendimin me shkelje rregullash. Tifozet tuaj, ju, ekipi juaj Kurti i gezoheni pa mase ketij suspendimi, siç keni bere fushate te tmerrshme linçuese vite me pare kunder meje.

Uroj qe keta kalkulante te jene ne tavolinen tuaj per shperblim, nje pune ta mbaruan nen kalkulimin e qarte se e meritojne t’i mbajne pozitat. Ne ekran s’do te jem per sa kohe qe komisini disiplinor ta trajtoje çeshtjen e persekutimit, ju e znj Osmani e tifozet toksike tuaj natyrisht qe festojne. Por por Kabashet e Veliajt e Kastratet e disa servile, anetare bordi te RTK duhet ta dijne se sulmet, siç ishte ai i z Thaçi vite me pare duke ma heqe emisionin, edhe kjo drame teatrale kunder meje nen pritjet per kalkulim me ju, e kane nje epilog, do t ‘me japin vetem force e imunitet.

Turp ju qofte more te padinjitetshem!