Rinovimi i muzeut të artit modern, MOMA

Një nga muzetë më të dashur të Nju Jorkut – Muzeu i Artit Modern është duke u rihapur pas një rinovimi prej disa muajsh. Korrespondentja Elena Wolf e Zërit të Amerikës vizitoi muzeun MoMA para se të hapte dyert e tij.

Më shumë se 3 milion njerëz vizitojnë çdo vit Muzeun e Artit Modern – MoMA.

Muzeu qëndroi i hapur gjatë një rinovimi të madh që u zhvillua gjatë verës, por e gjithë hapësira rihapet këtë muaj.

Rinovimi që kushtoi mbi 450 milionë dollarë, shton 4500 metra katrorë sipërfaqe për rreth 1000 objekte të reja arti.

“Një nga shpresat e mia është që rinovimi të krijojë një rrugë më të qartë të qarkullimit – ta dish se ku je ndërsa kalon pavionet… Sigurisht që mund të humbasësh, por pastaj kur hyn në një pavion ta dish me saktësi ku ndodhesh. Gjithashtu, kati i parë, mendoj se është një ndryshim i madh tani në nivelin e rrugës”, thotë arkitekti Ricardo Scofidio.

Mbi katin e gjashtë ka një tarracë dhe një kafene me pamje spektakolare. Kati i pestë u kushtohet kryeveprave botërore – këtu, vizitorët do të gjejnë Natën me Yje të Van Gogut, Zonjat e Avenjonit të Pikasos, Matisin, Pollokun dhe Warholin. Sa më pranë katit të parë, aq më modern bëhet arti.

“Në vend të një parimi ‘më duhet të shkoj nga fillimi në fund në vijë të drejtë’,duhet të mendosh ‘kam një mori mundësish mes fillimit dhe fundit,” thotë Ann Temkin, kuratorja për pikturat dhe skulpturat.

Por, edhe me sipërfaqen e re nuk ka hapësirë të mjaftueshme për 200 mijë objektet e artit të vendosura këtu.

Dhe ato janë të gjitha kryevepra të një shekulli e gjysmë të kaluar, përfshirë videot e para dhe negativët e parë të fotografive.

Kështu që muzeu i ri i rinovuar planifikon të qarkullojë ekspozitat një herë në gjashtë muaj.

“Mendoj se MoMA e re është një zgjatim i MoMA-s së vjetër. // Ky version i Muzeut të Artit Modern ishte i ngulitur në versionin e mëparshëm”, thotë Glenn D. Lowry, drejtor i muzeut.

Kjo është rinovimi i pestë i MoMA-s në historinë e tij – që bëhet më i vështirë çdo herë, pasi çdo zgjerim nënkupton marrëveshje me autoritetet e qytetit, zyrën e kryetarit të bashkisë dhe agjentët e pasurive të patundshme.

“Në fakt, ne nuk kemi hapësirë, kështu që duhet ta shfrytëzojmë atë sa më shumë. // Ky bllok është shumë i kufizuar – kemi një kishë nga njëra anë, pra jemi të bllokuar”, thotë Elizabeth Diller, arkitekte.

Por për MoMA-n, kjo s’është asgjë – mbi të gjitha, arti që muzeu strehon është i pavdekshëm dhe bëhet gjithnjë e më i vlefshëm me kalimin e kohës.