Rinumërohen edhe 530 vendvotime, pak gjasa të ndryshojë rezultati

Me rekomandim të QNR-së, KQZ-ja mori vendim të rinumërohen edhe 530 vendvotime. Shoqëria civile ndonëse kritikon mënyrën e numërimit të votave, thotë se ka pak gjasa të ndryshojë rezultati për subjekte politike, shkruan sot Gazeta “Zëri”.

Në Qendrën e Numërimit dhe të Rezultateve (QNR) ka filluar rinumërimi i votave për 530 vendvotime, vendim ky i cili u mor dje nga KQZ-ja me rekomandim të Qendrës për Numërime dhe Rezultate (QNR) për shkak të parregullsive të evidentuara.

Në anën tjetër përfaqësues të shoqërisë civile kanë kritikuar mënyrën e numërimit të votave në QNR. Sipas tyre është dashur që votat për subjekte politike të numërohen në vendvotime, ndërsa ato për kandidatë në QNR.

Megjithatë, sipas tyre, janë minimale gjasat që rinumërimi i 530 vendvotimeve të sjellë ndryshime në rezultatet e subjekteve politike.

Ata thonë se rinumërimi i këtyre vendvotimeve do të sjellë ndryshime vetëm për kandidatët brenda subjekteve. /Zëri/