Rrahim Hashimi dhe Kadri Rexhepi arrestohen nga Policia e Kosovës

Dy protagonistët e fajdeve në Kosovë, Rrahim Hashimi dhe Kadri Rexhepi, janë arrestuar nga Policia e Kosovës, të enjten, në orët e mbrëmjes,.

“Me datën 30/05/2019 në orët e mbrëmjes Policia e Kosovës, konkretisht Drejtoria e Hetimeve të Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit ka zbatuar Aktvendimin e Prokurorisë Themelore në Ferizaj, Departamenti i Krimeve të Rënda, me ç’ rast rreth orës 20:00 janë arrestuar dy persona të dyshuar, Rr. H. viti i lindjes 1979 m/sh/k dhe K. R viti i lindjes 1946 m/sh/k”, thuhet në një komunikatë për media të Policisë së Kosovës.

Sipas policisë, Hashimi dhe Rexhepi janë arrestuar për shkak se dyshohen se kanë kryer veprën penale “Mashtrim” nga neni 335 të KPRK-së, “Shantazh” nga neni 341 dhe “Detyrim” nga neni 340 lidhur (në bashkëkryerje) me nenin 31 KPRK-së.

“Të dyshuarit sipas aktvendimit dërgohen në mbajte për 48 orë”, ka njoftuar Policia e Kosovës.

Dy të arrestuarit, sipas video materialeve të transmetuara në KTV, shihen duke kërkuar para nga biznesmeni Faton Dalladaku, për ndërtimin e një spitali privat brenda hapësirës së Qendrës Klinike dhe Universitare të Kosovës. Madje, ata kërkonin para nga ky i fundit duke u thirrur në emër të kryetarit të Kuvendit, Kadri Veseli dhe nënkryetarit të Kuvendit, Xhavit Haliti.