“Rrahja e të birit të Rashiq është mesazh nga Vuçiqi për të gjithë serbët që duan ta pranojnë realitetin në Kosovë”

Analisti politik, Fitim Salihu, ka reaguar pas rrahjes së të birit të diplomatit serb në Kosovë, Nenad Rashiq.

Salihu, me anë të ‘Twitter’-it, ka thënë se një veprim i këtillë është mesazh nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, për të gjithë ata serbët në Kosovë që duan ta pranojnë realitetin politik, shkruan Gazeta Express.

“Ky është mesazhi i Vuçiqit për të gjithë serbët që duan të pranojnë realitetin politik në Kosovë. Shteti i cili ka vrarë dhe rrahur shqiptarë për dekada me radhë, po ua bën të njëjtën serbëve që mendojnë ndryshe”, ka shkruar Salihu.

Sipas informacioneve të para, i biri i diplomatit serb në Kosovë është sulmuar nga një grup personash, të cilët thuhet se kanë pasur me vete edhe mjete të forta.

Nga policia kanë bërë të ditur se kanë arrestuar tetë persona të dyshuar për rrahjen e të birit të Rashiq.

“Lidhur me këtë rast policia ka shoqëruar në stacion policor 8 persona të dyshuar (prej tyre një i  mitur)”, ka thënë në një komunikatë zëdhënësja e rajonit të Policisë së Kosovës, Flora Ahmeti. /Gazeta Express/