Rrënime edhe në Skenderaj

Zyra për Informim e Komunës së Skenderajt ka njoftuar se me vendim të Kryetarit të kësaj komune, Bekim Jashari, është bërë rrënimi i një pjese të një objekti, përkatësisht terasës së restoranit “Prima”, në rrugën “28 Nëntori”.

Korigjimi i veprimeve të jashtëligjshme të qeverisjes së kaluar

“Për terasën e biznesit në fjalë, ka pas vendim të jashtëligjshëm nga qeverisja e kaluar” thuhet në njoftimin e lëshuar duke precizuar se pronarit në fjalë i është lejuar vetëm ceradë-mbulesë për terasë me dimensione të caktuara, por jo edhe të bëjë ndërtim metalik.

Me këtë rast, Drejtoria e Urbanizmit ka shfuqizuar vendimin për leje të përkohshme që i është lëshuar pronarit, e të cilit Drejtoria e Inspektoratit më 31 maj të këtij viti ia ka dërguar vendimin për vetë-rrënim në afat prej 15 ditësh, por ky vendim nuk është zbatuar nga pronari i Restaurantit “Prima”, gjë që ka detyruar Inspektoratin të rrënojë terasën – aneksin e objektit.

Aksioni i sotëm është zhvilluar pa asnjë problem, duke falënderuar edhe Policinë e Kosovës për bashkëpunim të shkëlqyer.