Rritet presioni ndërkombëtar për formimin e shpejtë të qeverisë

Afrimi i datës 26 dhjetor, kur do të bëhet inaugurimi i Kuvendit të ri të Kosovës dhe mungesa e rezultateve pozitive për formim të qeverisë në negociatat që po zhvillon në mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, kanë bërë që të rritet reagimi dhe presioni ndërkombëtar për themelimin e shpejtë të qeverisë.

Shefja e Zyrës së BE-së në Kosovë, shefat e misioneve të BE-së në vendin tonë dhe i EULEX-it kanë lëshuar një deklaratë të përbashkët.

Ata kërkojnë formimin e shpejtë të qeverisë së re dhe institucionet të vazhdojnë me reformat në zhvillimin ekonomik, zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit BE-Kosovë dhe dialogun me Serbinë.

“Kosova duhet që me urgjencë të vazhdojë punën në reforma për zhvillim ekonomik dhe shoqëror, si dhe sundim të ligjit, zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit BE-Kosovë dhe dialogun me Beogradin të cilin e lehtëson BE-ja. Nevojitet një formim i shpejtë i qeverisë për të çuar përpara këto procese, në interes të Kosovës dhe popullit të saj dhe në përputhje me Kushtetutën dhe dëshirën e shprehur të elektoratit”, thuhet në njoftimin e tyre.

Ndërkohë, menjëherë pas deklaratës së Zyrës së Bashkimit Evropian dhe shefave të misioneve të BE-së në Kosovë, ka reaguar edhe ambasada amerikane.

Ata janë pajtuar me deklaratën e Shefave të BE-së, duke thënë se qytetarët mezi po presin që të krijohet qeveria e re dhe të sillen ndryshimet e premtuara.

“Ne pajtohemi me BE-në: njerëzit e Kosovës janë të padurueshëm për një Qeveri që do të sjellë ndryshime pozitive”, thuhet në postimin e ambasadës.

Edhe ambasada e Britanisë së Madhe pati njoftim të ngjashëm.

“Ne mbështesim deklaratën e Shefit të Zyrës së BE / Përfaqësuesit Special të BE-së, EULEX-it dhe Shefave të Misioneve të BE-së në Kosovë”, thuhet në reagimin e tyre.