Rrugët e ndikimit rus në Ballkanin Perëndimor përmes medias satelite

Një studim i Fondit Marshall Gjerman në Shtetet e Bashkuara, vë në pah se zhgënjimi i përgjithshëm me Perëndimin në të gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor, ka krijuar një truall për ndërtimin e suksesshëm të rrëfimit që u shërben interesave ruse.

Studimi orvatet të shpjegojë shtimin e “rrëfimeve” anti-perëndimore e pro-ruse në Ballkanin Perëndimor duke vrojtuar rolin e autoriteteve lokale, agjencive lokale të informacionit shtetëror dhe jo-shtetëror, që vullnetarisht promovojnë interesat e Rusisë në të gjithë rajonin. Në veçanti, studimi shqyrton rolin e tyre në tri zhvillimet e fundit politike: referendumin për ndryshimin e emrit në Maqedoninë e Veriut në vitin 2018, mosmarrëveshjet midis Serbisë dhe Kosovës dhe zgjedhjet e vitit 2018 në Bosnje dhe Hercegovinë, raporton Zëri i Amerikës.

Në Maqedoninë e Veriut, thuhet në studim, rrjetet anti perëndimore dhe pro ruse posaçërisht aktive në fushatën për bojkotimin e referendumit, kërcënuan të pengojnë orientimin pro perëndimor të vendit. Në Serbi, këto rrjete kishin ndikim të dëmshëm në procesin e normalizimit të marrëdhënieve me Kosovën. Në Bosnjë dhe Hercegovinë, dëmtuan perspektivat e bashkëpunimit politik dhe institucional midis dy entiteteve të vendit.

Rusia dhe marrëdhëniet Kosovë – Serbi

Në studim thuhet se “konflikti ndërmjet Serbisë dhe Kosovës shpesh është përkufizuar si arena kryesore e betejës së madhe gjeopolitike ndërmjet Rusisë dhe Perëndimit”. Kosova shpalli pavarësinë në vitin 2008 dhe është njohur nga mbi 110 vende të botës, por jo nga Serbia, Rusia dhe pesë vende anëtare të Bashkimit Evropian. Aty përmendet edhe hedhja e ideve për shkëmbim territoresh ndërmjet të dyja vendeve, qëndrimet kundërshtuese të Gjermanisë ndaj kësaj ideje dhe qëndrimit amerikan për mbështetjen e “cdo zgjidhjeje paqësore”.

Rusia, thuhet në studim, është mbështetësja kryesore e Serbisë dhe po përpiqet të sigurojë një rol ndërmjetësues. Në këtë frymë shihet edhe takimi “aksidental” i presidenti rus Vladimir Putin me presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi në Paris gjatë manifestimeve me rastin e përvjetorit të përfundimit të Luftës së Parë Botërore.

Rusia është një faktor i pashmangshëm për shkak të së drejtës së vetos në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, thuhet në studim, në të cilin nënvizohet qëndrimi i saj kundërshtues ndaj ndërhyrjes së NATO-s në vitin 1999 dhe pavarësisë së Kosovës që i sheh si “një fyerje të drejtpërdrejtë ndaj fuqisë së Rusisë në sferën e saj tradicionale të ndikimit” në rajon, raporton Zëri i Amerikës.

Studimi vë në pah pikëpamjet kundër perëndimit në shkallë të gjerë në Serbi për shkak të kujtimeve rreth ndërhyrjes së NATO-s, ndërsa vë theksin tek refuzimi i Serbisë për t’ju bashkuar sanksioneve kundër Rusisë për shkak të Ukrainës. Ndërsa shpall lidhjet e ngushta me Moskën, Serbia ende synon anëtarësimin në BE, por jo me entuziazmin e dikurshëm. Aty thuhet se synimet e Kosovës dhe Serbisë për anëtarësim në BE janë pezulluar për shkak të refuzimit të Serbisë që Kosova të anëtarësohet në INTERPOL dhe tarifave prej 100 për qind ndaj mallrave serbe që vendosi qeveria në Prishtinë dhe vendimit për krijimin e ushtrisë së Kosovës.

“Këto çarje në ‘procesin e normalizimit’, krijuan mundësinë që retorika anti-perëndimore e pro-ruse të fitojë në popullaritet”, thuhet në studim.

Rusia e ka forcuar imazhin e saj si mbrojtëse e interesave të Serbisë e cila luan me letrën ruse për t’u bërë të ditur BE-së dhe Shteteve të Bashkuara se ka alternativë, duke kërcënuar se mund të vihet nën ombrellën ruse, kurdo që nuk është e kënaqur me procesin negociues.

Sipas studimit, Rusia kundërshton fuqishëm zgjerimin e NATO-s në Ballkan, ndërsa nuk shpreh shqetësim për zgjerimin e BE-së në rajon. Aty citohet hulumtuesi i institutit të Ballkanit Perëndimor Evropian, Nikola Burazer, të ketë thënë se “Kremlini kërkon rrugë për të dëmtuar BE-në dhe Ballkani Perëndimor është një arenë e mirë për këtë qëllim”.

Retorika pro-Putin dhe kundër-Perëndimit është intensifikuar përmes një rrjeti vendor të këtij narracioni, në të cilin janë të përfshirë partitë politike dhe akterët individual politikë.

Lidhjet e biznesit janë një faktor me rëndësi në marrëdhëniet e Serbisë me Moskën, thuhet në studim, sipas të cilit ka një “ide në Serbi se Rusia është investuesja më e madhe”, ndonëse të dhënat flasin ndryshe, meqë BE-ja i dha Serbisë 3.4 miliardë euro nga viti 2000 deri në vitin 2013, ndërsa Rusia vetëm një kredi prej 338 milionë dollarësh për hekurudhat serbe në vitin 2016.

Sputnik dhe media serbe

Agjencia ruse “Sputnik” filloi veprimtarinë e vet në Beograd në vitin 2015 dhe ka një faqe e interneti dhe një radio. Rrëfimet e Sputnikut citohen gjerësisht nga media lokale, më së shumti nga Blic, Kurir, Informer, Vecernje Novosti, dhe B92.

Sipas studimit, të paktën 40 portale në Serbi mbajnë qëndrime pro ruse, posaçërisht kur flitet për Sirinë, Ukrainën dhe Kosovën, raporton Zëri i Amerikës.

Ndërmjet janarit dhe dhjetorit të vitit 2018, Sputniku publikoi 2 mijë 705 artikuj për Kosovën. Më shumë se 80 për qind janë të përqendruar në Bashkimin Evropian dhe në NATO me ngjyrime qartësisht negative, ndërsa Rusia paraqitet si partner i qëndrueshëm dhe mbështetëse e fuqishme e Serbisë.

Sipas studimit, mediet e kontrolluara nga shteti, qofshin publike e private, janë nxitëset më aktive të ndjesive pro ruse.

Rrjetet dezinformuese përdorin çështjen e Kosovës duke përdorur retoriken pro serbe. Rusia dhe mediet satelite arrijnë edhe tek audienca në mesin e komunitetit serb në vendet fqinje në Mal të Zi, Kosovë dhe Bosnje e Hercegovinë. Këto rrjete mes tjerash vënë theksin tek fuqia e armëve të Rusisë e cila furnizoi Serbinë edhe me avionë MiG29 por edhe mjete të tjera ushtarake.

Efektet e propagandës ruse dhe rrugët e kundërvënies

Sipas studimit, efektet e propagandës ruse bëjnë që të “nxitet përplasja ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe të shtohet frika nga një konflikt i afërt”. Shpërndarja e rrëfimit rus në opinionin publik serb, forcon qëndrimin ndaj Kosovës si një projekt anti serb të perëndimit. Ngritja e frikës nga “armiku”, ka çuar në forcimin e mbështetjes politike për presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç. Po ashtu, kjo propagandë ushqen ndjesitë nacionaliste në Republikën Serbë në Bosnjë dhe Maqedoninë e Veriut, ndërsa shton urrejtjen kundër shqiptarëve.

Në studim i bëhet thirrje Bashkimit Evropian që të jetë më aktiv në angazhimin rreth “çështjeve të hapura” në Ballkanin Perëndimor, posaçërisht në marrëdhëniet Kosovë – Serbi. Roli i perëndimit në konfliktin ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Greqisë ëstë një shembull pozitiv i përpjekjeve të tilla.

BE-ja dhe Shtetet e Bashkuara duhet të bëhen të dukshme nëpërmjet nismave të bashkëpunimit rajonal dhe vizitave politike, nëse duan të tregojnë interesin e tyre për Ballkanin Perëndimor dhe të kundërshtojnë ambicien e Rusisë për të zgjeruar praninë e saj atje, raporton Zëri i Amerikës.

NATO duhet të jetë më aktive në shpjegimin e rolit të saj, duke u angazhuar në diskutime kritike me kundërshtarët politikë në gjithë rajonin, në përpjekje për të zvogëluar efektet e retorikës anti-NATO, e cila duket të jetë më e fortë dhe më e suksesshme në transmetimin e mesazheve politike.

Në studim i kërkohet BE-së një qasje me e fortë ndaj propagandës dhe fushatave dezinformuese duke e trajtuar këtë si një çështje të sigurisë, ndërsa gazetarëve u kërkohet ndërgjegjësim në përballjen me keqpërdorimin e medies, ndërsa atyre duhet t’u ofrohet mbështetje për të zbuluar “lajmet e rreme” dhe format tjera të informacioneve të pasakta.

Po ashtu studimi bën thirrje për investim në veprimtaritë e shoqërisë civile dhe hulumtimet akademike që do të rrisnin ndërgjegjësimin përballë rrëfimit të satelitëve të Rusisë./Zëri i Amerikës, link: https://www.zeriamerikes.com/a/gmf-us-russia-western-balkans-/4966844.html/