Rrugët llom të Prishtinës

Rruga “Hasan Remniku” në Prishtinë është njëra ndër ato, në të cilën punimet e filluara për rikonstruktimin e saj shkaktuan vështirësi të mëdha te banorët. Që nga mesi i muajit gusht banorët u detyruan të gjejnë rrugë alternative për t’i shmangur gropat e shumta, që mbetën nga punimet në këtë rrugë. Si kjo rrugë janë edhe disa të tjera në kryeqytet, shkruan sot Gazeta “Zëri”.

Komuna e Prishtinës së fundmi ka ndarë 141.234 euro për kryerjen e disa punimeve shtesë në kuadër të rindërtimit në rrugën “Hasan Remniku”, në lagjen “Kolovicë” të kryeqytetit.

Komuna i ka dhënë tender kompanisë “Ledi Ing” për kryerjen e punimeve shtesë në këtë rrugë, e cila qysh nga mesi i gushtit të këtij viti është në gjendje të mjerueshme. Banorët e kësaj lagjeje për “Zërin” kanë thënë se punimet janë zvarritur për disa muaj e që vetëm tani kanë rifilluar të bëhen disa renovime në të, shkruan më tutje Gazeta “Zëri”.

Sipas tyre, në këtë gjendje të rrugës më së vështiri është qarkullimi me vetura, për shkak se rruga në çdo pjesë ka gropa dhe shpesh ata detyrohen të gjejnë rrugë alternative për t’u lidhur me rrugën kryesore.

“Kjo rrugë është në këtë gjendje qysh nga mesi i muajit gusht të këtij viti. Fillimisht punimet filluan për kanalizim dhe më pas rruga mbeti ashtu. Vështirësi po kemi në qarkullim me vetura. Gjatë kësaj kohe është dashur të gjejmë rrugë alternative për t’u lidhur me rrugën kryesore, sepse qarkullimi me veturë është i vështirë”, ka thënë Murat Maliqi, banor në rrugën “Hasan Remniku” në Prishtinë. /Zëri/