Rusia grumbullon ushtrinë afër Ukrainës, shqetësohet sekretari Blinken

Shtete e Bashkuara kanë shfaqur shqetësim në lidhje me atë që e cilësuan si agresion të vazhdueshëm të Rusisë kundër Ukrainës pas raporteve për grumbullimin e trupave ruse përgjatë kufirit me Ukrainën dhe në Krimenë e aneksuar.

Sekretari i Shtetit, Antony Blinken, bisedoi përmes telefonit me homologun e tij ukrainas, Dmytro Kuleba, ndërsa komandanti i përgjithshëm i ushtrisë amerikane, Gjeneral Mark Milley, i telefonoi udhëheqësit më të lartë ushtarakë në Rusi dhe Ukrainë, njoftuan të mërkurën Pentagoi dhe Departamenti i Shtetit.

Në deklaratën e Departamentit të Shtetit thuhet se sekretari Blinken e rikonfirmoi përkrahjen e Shteteve të Bashkuara për Ukrainën përballë agresionit të vazhdueshëm të Rusisë dhe shprehu shqetësim për gjendjen e sigurisë në lindje të Ukrainës.

Zëdhënësi i Departamentit të Mbrojtjes, John Kirby, tha se Pentagoni është i vetëdijshëm për raportimet e ushtrisë ukrainase rreth lëvizjes së trupave ruse afër kufirit me Ukrainën, shkruan Free Europe, transmeton Gazeta Express.

“Veprimet destabilizuese të Rusisë i minojnë qëllimet për deeskalim që janë arritur përmes një marrëveshjeje të ndërmjetësuar nga OSBE-ja në korrik të vitit të kaluar. Jemi duke i diskutuar me aleatët tanë në NATO shqetësimet tona rreth kësaj rritjeje të tensioneve, shkeljeve të armëpushimit dhe tensionet rajonale”, deklaroi Kirby.

Misioni i Posaçëm Vëzhgues në Ukrainë i organizatës OSBE ka raportuar për qindra shkelje të armëpushimit në ditët e fundit. Të premten e kaluar, më 26 mars, katër ushtarë ukrainas u vranë dhe dy të tjerë u plagosën në pjesën lindore të Ukrainës.

Ushtria ukrainase tha se ushtarët e saj u goditën nga sulmi me mortajë, për të cilin i fajësoi trupat ruse. Rusia mohon se ka prani ushtarake në lindje të Ukrainës, ku i mbështet forcat separatiste.

Gjenerali Milley bisedoi me komandantin e përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Rusisë, Gjeneral Valery Gerasimov, dhe me komandantin e përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Ukrainës, Gjeneral Ruslan Khomchak.

Gjenerali ukrainas të martën e akuzoi Moskën për grumbullimin e trupave afër kufirit Rusi – Ukrainë dhe i përsëriti pretendimet se separatistët po vazhdojnë ta shkelin armëpushimin e arritur vitin e kaluar.

Ndaj këtyre akuzave reagoi presidenti rus, Vladimir Putin, i cili fajin për tensione ia hodhi Ukrainës dhe i bëri thirrje Kievit që të futet në dialog të drejtpërdrejtë me forcat separatiste./Përktheu: Nasuf Abdyli