Sa qytetarë të Malishevës jetojnë në Itali?

Komuna e Malishevës ndodhet në karantinë pasi  po përballet me pandeminë Coronavirus. Nga kjo komunë deri më tani 4 persona kanë rezultuar pozitiv. Dy nga ta sipas të dhënave kanë ardhur nga Italia vendi i cili po përballet me numrin më të madh të të infektuarve nga ky virus.

Të dhënat statistikore tregojnë sa çereku i popullsisë rezidente i Komunës Malishevës është numri i atyre që kanë emigruar jashtë Kosovës. Për çështje familjare, të punësimit por edhe arsyeve tjera ata emigruan më shumë drejtë Italisë, Gjermanisë, Zvicrës e Sllovenisë.

“Të prekurit me virus janë banorë të Malishevës po që kanë pasur kontakte me ata që kanë ardhur nga Italia. Qeveria komunale e ka formuar një shtab të emergjencës me ato mundësitë që i kemi. Në Qendrën e Mjekësisë Familjare është ndarë automjeti i veçantë për trajtimin e këtyre njerëzve dhe një ekip për çdo rast kur ka kërkesa nëpër fshatra për me i trajtu. Megjithatë pajisjet janë të mangëta dhe u kemi treguar që s’mundemi me mbulu, por ardhja e këtij kontingjentit të fundit na ndihmon sadopak”, ka thënë në KALLXO.com, Ragip Begaj, kryetar i Komunës së Malishevës.

 Sa qytetarë të kësaj komune jetojnë jashtë?

Raporti për vlerësimin të popullsisë për vitin 2018 i ASK-së, tregon se komuna e Malishevës ka një popullsi prej 58 mijë e 269 banorë. Për nga numri i banorëve, Komuna e Malishevës është e përafërt me Komunën e Gllogocit, Lipjanit dhe Rahovecit.

Vetëm në vitin 2018, në këtë komunë, nga jashtë ishin kthyer 231 persona përderisa kishin emigruar 1 mijë e 874 tjerë.

Përderisa ende nuk dihet numri i saktë i qytetarëve të Komunës së Malishevës të cilët kanë emigruar për në vendet e jashtme, bazuar në raportin për migrimin kosovarë publikuar 2014 nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) lidhur me migrimin, nga kjo komunë, numri i qytetarëve të cilët jetojnë jashtë janë 14 mijë e 184 persona. Numri më i madh i tyre ka emigruar drejtë Italisë, 5 mijë e 291 qytetarë, pastaj në Gjermani 4 mijë e 316 qytetarë, ndërsa në Zvicër- 1 mijë e 797 qytetarë, 815 qytetarë në shtetin e Sllovenisë, pastaj 600 qytetarë në Austri dhe në vendet tjera me numër më të vogël.

Bazuar në të dhënat, arsyeja e largimit nga vendi i tyre i lindjes ka qenë kryesisht për çështje familjare ku numëron gjithsej 7 mijë e 79 persona, për arsye të punësimit 6 mijë e 32 qytetarë, ndërsa një numër më i vogël për arsye studimit e arsye të tjera.

Komuna e Malishevës regjistroi një bilanc negativ ndërkombëtarë prej -21.4 përqind, ku numri më i madh ishte i atyre që e lanë vendin në raport me ata që u kthyen./Kallxo.com/.