S’dihet për fatin e dasmave sivjet, por sa çifte u martuan gjatë vitit 2019?

Ndonëse pandemia COVID-19 sivjet pothuajse ndaloi organizimin e dasmave, në vitin që shkoi u kurorëzuan mbi 17,500 çifte.

Ku numër çiftesh bashkëshortore është për 706 më i lartë se në vitin 2018.

Mosha mesatare e çifteve të kurorëzuara është rreth 30 vjeç, ndërsa sa i përket nivelit të shkollimit më së shumti çifte janë me shkollim të mesëm.

Edhe më 2019, sikur edhe më 2018, në komunën e Prizrenit janë kurorëzuar më së shumti çifte. Pastaj, vjen komuna e Prishtinës.

Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, më 2019 në gjithë vendin janë kurorëzuar 17,577 çifte bashkëshortore.

Sa i përketë përkatësisë etnike, mbi 96 për qind e çifteve janë shqiptarë, 0.5 për qind serbë, rreth 1 për qind nga komunitetet rom, egjiptian e ashkali, e kështu me radhë.

Mosha mesatare e të martuarve është 29.5 vjeç: 31 vjeç e djemve dhe 28 e vajzave.

Sipas grupmoshave, te vajzat dominon ajo e moshës 20-24 vjeçare (5,750 kurorëzime, ose 32.7 për qind), ndërsa, te djemtë dominon mosha 25-29 vjeçare (me 5,663 kurorëzime, ose 32.2 për qind).

Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, numri më i madh i kurorëzimeve më 2019 ishin në komunën e Prizrenit – 1,646 kurorëzime, ose 8.8 për qind; në komunën e Prishtinës – 1,364 kurorëzime, ose 7.3 për qind; në komunën e Ferizajt -1.123 ose 6.0 për qind, etj.

Ndërsa sipas përgatitjes shkollore te dy gjinitë dominon niveli i mesëm i shkollimit. Me këtë nivel të shkollimit ishin 10,757 e vajzave të kurorëzuara, ose 61.2 për qind, dhe 11,983 djem ose 68.2 për qind.

Këto të dhëna Agjencia e Statistikave të Kosovës i bëri të ditura në raportin “Statistikat e Kurorëzimeve në Kosovë 2019”.

Më 2018 u martuan mbi 16 mijë e 800 çifte

Të dhënat ASK-së tregojnë se në Kosovë në vitin 2018 janë kurorëzuar 16,871 çifte bashkëshortore.

Sipas këtyre të dhënave, rreth 95 për qind e çifteve të kurorëzuara janë të etnisë shqiptare.

Mosha mesatare e të martuarve ishte 30 vjeç. Prej tyre mosha mesatare e djemve ishte 31 vjeç, ndërsa e vajzave 28.

Sipas grupmoshave, te vajzat dominon mosha 20-24 vjeçare (5,398 kurorëzime, ose 32 për qind), ndërsa te djemtë dominon mosha 25-29 vjeçare (me 5,341 kurorëzime ose 31.7 për qind).

Prizreni prin me numrin e kurorëzimeve

Sipas ASK-së, më së shumti kurorëzime kanë ndodhur në komunën e Prizrenit – 1,589 raste, ose 8.7%, pastaj vjen Prishtina me 1,285 kurorëzime, ose 7.0%, ndërsa në Ferizaj ishin 1,067 kurorëzime ose 5.8% etj.

Sipas përgatitjes shkollore, te dy gjinitë dominon shkollimi i mesëm. Me këtë nivel të shkollimit ishin 10 mijë e 602 vajzave të martuara, ose 62.8%, dhe 11 mijë e 701, ose 69.4% e djemve.

Autoritetet e Kosovës për shkak të pandemisë së COVID-19 kanë urdhëruar ndalimin e tubimit të njerëzve në numër të madh.

Kjo nënkupton se dasmat dhe ahengjet e tjera të bashkimit të çifteve nuk do të zhvillohen sikur janë zhvilluar në vitet e kaluara, në prani të shumë pjesëmarrësve./Kallxo.com/.