Sejdiu: Mjekët po migrojnë, t’i motivojmë që të japin kontributin në vendin e vet

Drejtori i përgjithshëm i Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës, Basri Sejdiu, thotë se viti që lëmë pas për këtë institucion dhe sistemin shëndetësor në vend ka qenë vit i suksesit, pasi janë bërë investime të shumta në shumë klinika me qëllimin e vetëm për të ofruar shërbime sa më cilësore për pacientët.

Sejdiu në një intervistë ka folur për investimet që kanë bërë, furnizimin me barna të listës esenciale, furnizimi me aparatura dhe për planet që kanë për vitin që sapo kemi hyrë.

Drejtori i përgjithshëm i Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës, thotë se gjatë vitit që e kemi lënë pas janë realizuar dy projekte të rëndësishme, siç është trajtimi i infarktit akut në dy orët e para dhe strock center apo trajtimi i infarktit në tru. Sejdiu thotë se këto dy projekte janë tejet të rëndësishme për jetën e pacientëve. Kreu i ShSKUK-së thotë se gjatë vitit 2019 nuk ka ndodhur asnjëherë të përballen me mungesë të barnave të listës esenciale, e në këtë sipas tij, ka ndikuar digjitalizimi i shërbimit farmaceutik.

Sejdiu thotë se gjatë vitit 2019 janë bërë investime të shumta në furnizimin e klinikave me aparaturë. E krejt ky investim, ai shton se ka ndikuar që të këtë shërbime më cilësore për pacientët dhe të cilat janë më pak të kushtueshme.

Ai tregon se mbi 6 milionë euro kanë investuar në aparaturë në të gjitha klinikat e QKUK-së, ndërsa përmend se një vit më parë kanë pasur investime rreth 3.5 milionë euro.I pari i ShSKUK-së thotë se kanë bërë blerjen e materialit shpenzues në mungesë të të cilit pacientët janë dërguar jashtë institucioneve publike për trajtim, e që ky referim thotë se e ka dëmtuar buxhetin e shtetit dhe të pacientëve.

Ai thotë se me blerjen e këtij materiali shpenzues është ndalur referimi jashtë institucioneve publike, e që sipas tij, ka ndikuar që të kursehen miliona euro.

I pari i ShSKUK-së ka folur edhe për ligjin e pagave i cili është pezulluar nga Gjykata Kushtetutese, për të cilin ligj thotë se ka qenë mjaftë i mirë për mjekët dhe infermierët.

Sipas tij, rritja e pagave do të ndikonte që të ndalej migrimi i mjekëve, pasi që do të kishin motiv për të punuar në vendin e tyre.Gjithashtu, Sejdiu thotë se gjatë vitit 2019, kanë investuar edhe në spitalet regjionale, për çka thotë se do të vazhdojnë edhe gjatë vitit që sapo kemi hyrë.

Sejdiu ka folur edhe për planet që i kanë për vitin 2020, ku tha se do të vazhdojnë t’i avancojnë të gjitha shërbimet, të përfundojnë projektet të cilat veç kanë filluar dhe ngritjen e shërbimeve të reja. / Express