Sejdiu: Programi qeverisës i VV’së është shkruar nga anëtarët e PSD’së

Dardan Sejdiu, anëtari i Partisë Socialdemokrate dhe kandidati për deputet nga koalicioni AAK-PSD, i ftuar në emisionin DPT te Fidani të televizionit T7, ka hedhur akuza ndaj Lëvizjes Vetëvendosje duke thënë se programi i saj qeverisës është shkruar nga anëtarët e partisë së tij madje duke thënë se nuk e mban mend që Albin Kurti e ka shkruar ndonjë fjalë në atë program,

“Ai akoma flet me alternativën qeverisëse të cilën e shkruan njerëzit që janë në PSD, pjesa më e madhe është shkruar nga ata që sot janë në PSD” tha Sejdiu, transmeton Express.

Ai ka thënë se në atë program kishin punuar sa ishin pjesë e Vetëvendosjes madje edhe tregon se kush e ka shkruar atë.

“Në atë program kemi punuar kur ishim në Vetëvendosje, një pjesë e madhe është shkruar nga Shpend Ahmeti, Visar Ymeri, Dardan Molliqaj, Shqipe Pantina, Faton Topalli” u shpreh ai.

Ai ka thënë se nuk i ka hije Kurtit që t’i referohet PSD’së si borë e vitit të kaluar pasi që ata ishin ata që ia shkruan alternativën qeverisëse.

“Për dikë që ta ka krijuar tekstin, të shprehesh ashtu, nuk i ka hije një personi që dëshiron të udhëheqë. Duhet të jetë zemërgjerë, të jetë ombrellë për shumë e jo vetëm për ata që e përkrahin në mënyrë qorre” tha Sejdiu.

Sejdiu shtoi se anëtarët e PSD’së ishin po ata që e shkruan programin për “Ekonomi, sigurime shoqërore, marrëdhënie me jashtë, qeverisje të mirë, ligjin për referendum, shtetin e së drejtës”.

Sejdiu gjithashtu tha se nuk e mban mend që Albin Kurti shkroi diçka në atë program. /GazetaExpress/