Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, i shkruan kryeministrit Kurti

Sekretari i Shtetit i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Antony Blinken, ka thënë se Kosova duhet të angazhohet për arritjen dhe plotësimin e agjendës së presidentit amerikan, Joe Biden.

Pjesë të kësaj agjende, siç thuhet në letrën e Blinken dërguar kryeministri Albin Kurti janë fuqizimi i zbatimit të ligjit dhe arritja e marrëveshjes përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë.

“Si mik dhe partner i Kosovës, Shtetet e Bashkuara presin të bashkëpunojnë me ju për ta zbatuar plotësisht agjendën e Presidentit Biden të përcaktuar për marrëdhënien tonë, përfshirë fuqizimin e sundimit të ligjit, mbrojtjen e të drejtave të minoriteteve, nxitjen e rritjes ekonomike dhe sigurimin e marrëveshjes së vonuar prej kohësh ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, me fokus në njohjen e ndërsjellë”, thuhet në letrën e Sekretarit Blinken drejtuar kryeministrit Albin Kurti.

 

“Besojmë që dialogu i ndërmjetësuar nga BE-ja mbetet forumi më i mirë për normalizimin e negociatave ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës dhe ne koordinohemi nga afër me partnerët tanë në BE për këtë qëllim”, thuhet tutje në letër.

Blinken ka përmendur edhe një marrëveshje për energjisë elektrike për veriun e Kosovës dhe personat e pagjetur.

“Ju inkurajoj që t’i kushtoni vëmendje arritjes së marrëveshjes për energji elektrike në veriun e Kosovës dhe për avancimin e qëllimeve të përbashkëta në lidhje me personat e pagjetur. Është në interes të Kosovës që këto çështje të zgjidhen dhe të çojnë drejt një zgjidhjeje kompromisi në planin afatshkurtër, e që të mund të shërbejnë si bazë për progresin e mëtejshëm drejt normalizimit gjithëpërfshirës”, ka shkruar Blinken.

Në fund, ai ka pasur një kërkesë për kryeministrin kosovar, Albin Kurti.

“Ju lutemi të punoni ngushtë me Ambasadorin Hovenier dhe Përfaqësuesin Special të SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, sepse të dy janë plotësisht të autorizuar për t’i adresuar këto çështje me ju. Të dy janë të përgatitur për t’i diskutuar specifikat me ju dhe ekipin tuaj. Jemi të gatshëm ta ndihmojmë Kosovën për t’i arritur qëllimet e përbashkëta”, thuhet në fund të letrës së Sekretarit të Shtetit, Antony S. Blinken.

KËTU mund ta gjeni të plotë letrën e Blinken./Kallxo