Selektori publikon ftesat

Përzgjedhësi i Kombëtares së Kosovës në hendboll, Taip Ramadani ka publikuar listën me emrat e lojtarëve që do të paraqiten në dy ndeshjet e fundit të fazës së dytë kualifikuese për “Euro 2020”. Kombëtarja jonë më 12 qershor e pret Poloninë, në ndeshjen që zhvillohet nga ora 20:00 në Pallatin e Rinisë dhe Sportit në Prishtinë. Kurse më 16 qershor nga ora 18:00 Kosova luan me Gjermaninë në Nurnberg.

Kosova bënë pjesë në Grupin A, ndërsa kualifikimin prej këtij grupi tashmë e ka siguruar Gjermania. Gjermania është e para me 8 pikë, kurse Izraeli është në vend të dytë me 4 pikë. Polonia e Kosova i kanë nga 2 pikë. Në muajin prill Kosova arriti sukses historik, duke fituar në Prishtinë ndaj Izraelit me rezultat 27:24.

Suksesi synohet edhe ndaj Polonisë më 12 qershor, ndërsa pritjet janë për numër të madh shikuesish dhe për përkrahje për djelmoshat tanë.

Ramadani ka ftuar 21 lojtarë për këto dy ndeshje, ndërsa numrin më të madh të lojtarëve i kanë Besa Famgas e Kastrioti. Janë ftuar edhe lojtarë nga Prishtina e poashtu të klubeve të huaja.

Ramadanin në punën me kombëtare do ta ndihmojnë trajnerët Erhan Shahini, Veton Hajrizi dhe Enver Tahiraj. Grumbullimi i kombëtares bëhet më 7 qershor në Prishtinë. (nga TopSporti.com)