Selimi pas arrestimit të tetë zyrtarëve policorë: Askush nuk do të jetë mbi ligjin

Ministri në detyrë i Drejtësisë, Selim Selimi ka thënë se arrestimi i sotëm i tetë zyrtarëve policorë dëshmon përkushtimin e Prokurorisë që të godasë krimin e organizuar në të gjitha hallkat e sistemit, përfshirë Policinë e Kosovës.

Selimi ka thënë se është krenar me Prokurorinë dhe Policinë e Kosovës, transmeton Telegrafi.

“Krenar me Prokurorinë dhe Policinë, të cilët i inkurajoj që hetimin ta çojnë deri në fund dhe të gjithë të përfshirët në kryerje të veprave penale të sillen para drejtësisë. Askush nuk do të jetë mbi ligjin dhe për elemente kriminale nuk do të ketë vend në mekanizmat e zbatimit të ligjit”, ka thënë ai në Facebook.

Ndryshe, gjatë ditës së sotme janë arretuar tetë zyrtarë policorë, të cilët dyshohen për keqpërdorim të pozitës, keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrës, ushtrim ndikimi dhe blerje ose shpërndarje të substancave narkotike.

“Në aksionin e sotëm të zhvilluar në bashkëpunim të ngushtë me Inspektoratin Policor të Kosovës (IPK) në orët e hershme të mëngjesit janë arrestuar tetë persona, zyrtar policor të cilët dyshohen për veprat penale ‘Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar’, sipas nenit 414 të KPRK-së, ‘Keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrës ose autorizimeve publike’ neni 195, ‘Ushtrimi i ndikimit’ neni 424, si dhe ‘Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e substancave narkotike’ sipas nenit 267”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Në njoftim thuhet se aksioni i sotëm është realizuar edhe falë bashkëpunimit të qytetarëve me Prokurorin e Shtetit dhe IPK-në. /Telegrafi/