Senatorët amerikanë: Arritja e një marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë, e domosdoshme

Senatorët nga ShBA-ja, Ron Johnson dhe Chris Murphy, pas takimit me liderët kosovarë, kanë dhënë mesazhe të qarta për vazhdimin e dialogut me Serbinë, raporton EkonomiaOnline.

Të dy senatorët thanë se kanë ardhur këtu që të përçojnë mesazhin për përkrahjen e procesit të dialogut mes dy vendeve.

“Ne jemi këtu të japin përkrahjen tonë për këtë vend për ketë regjion. Arritja e një marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë është çelësi i arritjes së një prosperiteti për qytetarët e të dyja vendeve”, tha senatori Ron Johnson.

Edhe senatori tjetër, Chris Murphy, tha se miqësia mes Kosovës dhe ShBA-së, do të vazhdojë edhe në të ardhmen, teksa bëri me dije që një marrëveshje e mundshme mes Kosovës dhe Serbisë është jetike për të dyja vendet.

“Ne jemi miq me Kosovën dhe kjo miqësi do të vazhdojë. Ne presim që ky dialog të jetë produktiv dhe i suksesshëm midis dyja vendeve me qëllim që dyja vendet të zhvillohen ekonomikisht. Ne e dhamë këtë mesazh të qartë edhe në Serbi edhe në Kosovë”, tha ai.

Senatorët amerikanë dhanë një mesazh edhe për zgjedhjet që pritet të mbahen më 6 tetor.

Ata inkurajuan qytetarët e vendit që të dalin masovisht në zgjedhje.

“Ne i inkurajojmë gjithë qytetarët e Kosovës që të votojnë sepse kjo është e ardhmja juaj”, thanë ata.

Paraprakisht senatorët amerikanë janë takuar me Albin Kurti, Shpend Ahmetin, Behgjet Pacollin, Ramush Haradinajn dhe Isa Mustafën, si dhe pjesëtarët e shoqërisë civile.