Serbia i ofron Huaweit hapjen e një qendre të dhënash

Kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq, ka shfaqur shpresën që kompania kineze e teknologjisë Huawei të vendos për hapjen e qendrës së të dhënave për Evropën Juglindore në Kragujevc të Serbisë.

Bërnabiq tha se është e kënaqur me dy projektet që i zhvillon kompania kineze në Serbi, njërin me ministrinë e Punëve të Brendshme dhe tjetrin me Telekomin e Serbisë.

Ajo gjatë qëndrimit në Kinë do të nënshkruajë edhe një Memorandum Mirëkuptimi me kompaninë Huawei.

Por, kompania kineze përballet me kritika ndërkombëtare, përderisa Shtetet e Bashkuara e kanë vënë në listë të zezë.

Kjo pasi, SHBA-ja dyshon që kjo kompani bashkëpunon me qeverinë kineze për të spiunuar.

Huawei e ka mohuar akuzën.

Siguria aktuale e pajisjeve të kompanisë Huawei është më e keqe se ajo e kompanive konkurrente perëndimore, ka thënë, kohë më parë, Ian Levy, drejtor i Qendrës Kombëtare për Siguri Kibernetike të Britanisë së Madhe, gjatë një konference në Londër. / REL