Serbia ka blerë dronë e raketa nga Rusia e Kina

Serbia asnjëherë nuk e ka ndaluar blerjen e armatimit nga Rusia dhe Kina, pavarësisht kundërshtimit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të cilët e shohin si cënim të sigurisë në rajon. Blerja e këtye armëve shihet si kërcënim direk edhe në Kosovë.

Ministrja e Punëve të Jashtme, Meliza Haradinaj  ka thënë se Kosova është e shqetësuar pas blerjeve të fundit të Serbisë nga Kina dhe pas marrëveshjeve të vazhdueshme të armëve me Rusinë.

“Kosova shpreh shqetësimin e saj me blerjet e Serbisë nga Kina të dronëve dhe raketave. Pas marrëveshjeve të vazhdueshme për blerjen e armëve nga Rusia, blerjet e fundit shfaqin kërcënim direkt për paqen dhe stabilitetin e shteteve të Ballkanit Perëndimor, një rajon që është i përcaktuar për rrugëtimin euro-atlantik”, ka shkruar Haradinaj.

Serbia po armatoset fuqimisht nga aleati i saj historik, Rusia, me armë moderne. Në nëntor të vitit të kaluar Rusia solli në Serbi një sistem të sofistikuar të raketave. Kjo qe kundërshtuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pasi cënon sigurinë e rajonit.

Në anën tjetër Ministri serb i mbrojtjes Aleksandar Vulin thotë se sistemi i raketave ruse është garantuesi i paqes afatgjatë në rajon. Sipas raportit, qëllimi i furnizimit të sistemit të raketave është mbrojtja e pikave kritike, siç janë aeroportet, komandat dhe qendrat e kontaktit nga sulmet e mundshme me avionë, helikopterë dhe avionë pa pilot.

Serbia vazhdon ende të mbajë një buxhet të madh për mbrojtjen prej 500 milionë eurosh. Ndërkohë që, ajo vazhdon të mbështesë edhe një industri të zhvilluar armatimesh, e cila vetëm gjatë vitit të kaluar ka eksportuar 483 milionë dollarë armatime e municione.

Ndërsa, i dërguari special i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Mattheë Palmer, kidhte deklaruar se Beogradi mund të jetë subjekt i sanksioneve nëse blen armë ruse.

“Ne shpresojmë se partnerët tanë serbë do të jenë të kujdesshëm për transaksione të këtij lloji”, ka thënë Palmer. Në muajin tetor, Serbia ka realizuar stërvitje të përbashkëta ushtarake me Rusinë, në të cilat janë pozicionuar sistemet raketore ruse, S-400 dhe Pantsir-S. Presidenti serb, Aleksadar Vuçiç ka thënë më 5 nëntor se Serbia do të blejë sistemet raketore nga rusët dhe se dëshiron të anashkalojë sanksionet amerikane apo ndonjë përballje me Amerikën.

Kujtojmë,  që mbrëmë kanë mbërritur nga SHBA kontigjenti i radhës i automjete të blinduara. Këto automjete të blinduara janë të tipit Humvee (HMMËV/USA) për Forcën e Sigurisë së Kosovës. /metro

Tags: ,