Serri: Kosova po ngec në sundimin e ligjit dhe luftën kundër korrupsionit

Komisioni për Integrime Evropiane, kryesuar nga Blerta Deliu- Kodra, kryetare, mbajti mbledhjen e radhës për të diskutuar në lidhje me raportin për vendin për vitin 2019.

Në mbledhje i ftuar ishte Riccardo Serri, zëvendës shef i Zyrës së BE-së në Kosovë.

Kryetarja Deliu-Kodra, para anëtarëve të komisionit paraqiti disa nga të arriturat dhe sfidat, të cilat kanë dalë nga raporti i Komisionit Evropian. Ndër të tjera, ajo shpalosi edhe punën dhe angazhimin e Komisionit për Integrime Evropiane, me ç’rast theksoi se ky komision pas pranimit të raportit, ka zhvilluar edhe dëgjime publike me ministritë, të cilat janë të ndërlidhuara me procesin e integrimit.

Riccardo Serri, zëvendës Shef i Zyrës së BE-së në Kosovë, të gjeturat e raportiti i konsideroi shumë të rëndësishme, si për qytetarët, ashtu edhe për institucionet e Republikës së Kosovës. Ai po ashtu theksoi se përkundër progresit që është bërë në fusha të caktuara, si zhvillimi ekonomik, lufta kundër terrorizmit, të drejtat dhe liritë e njeriut, prapë se prapë, ka ngecje në sundimin e ligjit, luftën kundër korrupsionit, menaxhimin e financave publike, implementimin e ligjeve etj.

Serri tha se institucionet e Kosovës duhet të marrin më me prioritet fushat si edukimi dhe ambienti. Ai shtoi se kjo është paraparë edhe si rekomandim nga Komisioni i BE-së.

“Edhe pse në fushën e edukimit janë bërë disa reforma, është shënuar shumë pak progres. Situatë e njejtë është edhe në fushën e ambientit. Prandaj, institucionet përgjegjëse duhet të punojnë shumë në këto dy fusha” theksoi Serri.

Pas shumë pyetjeve nga ana e anëtarëve të komisionit dhe përgjigjeve, ata njëzëri u pajtuan që të gjeturat e raportit, duke përfshirë këtu edhe fondet IPA të BE-së, të diskutohen në seancë plenare.

Në fund të takimit, anëtarët e komisionit bashkë me amendamentet e komisionit funksional, votuan pro Projektligjit për produket biocide, duke vlerësuar se ky projektligj është në harmoni me legjislacionin e BE-së