Shahini: Zgjedhjet e parakohshme do të shkaktojnë humbje mbi 50 milionë euro

Aleanca Kosovare e Bizneseve (AKB), ka mbajtur konferencë  në lidhje me “Zgjedhjet e Kosovës 2019 dhe efekti i tyre në ekonominë e vendit”, raporton Ekonomia Online.

Kryetari i AKB-së, Agim Shahini, ka folur rreth efektit ekonomik të zgjedhjeve si dhe lidhur me shpenzimet e subjekteve politike në këto zgjedhje.

Shahini ka theksuar se parametrat e punësimit ishin të paktë në krahasim me vitet e kaluara.

Siç tha ai, borxhi publik arriti shumën e 600 milionë euro derisa ai i gjithëmbarshmi shkoi deri në 1 miliardë.

“AKB ka analizuar këto dite çështjet ekonomike politike dhe diplomatike. Kosova ka nevojë për zgjedhje të reja sepse Qeveria dhe Parlamenti i kanë lënë shumë vendime të rëndësishme pa u trajtuar. Plani i brendshëm për të shkuar në zgjedhje prishi disa plane ndërkombëtare. Andaj parametrat për vitin 2019 ishin negativ. Punësimet ishin më pak se një vit paraprak, nëse krahasojmë një statistikë të vitit 2014 ku ishin të punësuar 200 mijë punëdhënës derisa në vitin 2018 ishin 340 mijë punëdhënës. Trendi i eksportit ishte në rënie derisa importi ishte në rritje. borxhi publik shkoi deri në 600 milionë euro derisa ai i gjithëmbarshëm shkoi deri në 1 miliardë euro”, tha ai.

Shahini deklaroi në lidhje me dështimet e vendit, duke përmendur edhe ballafaqimin e fundit të ikjes se të rinjve.

“Liberalizimi i vizave nuk ndodhi, Kosova nuk arriti të anëtarësohet në organizatat ndërkombëtare. Kosova u ballafaqua me fenomenin e ri për tërheqjen e njohjes, gjë që ndikoj në vendin tonë. Kosova po ballafaqohet me ikjen e të rinjve. shumë qytetarë të arsimuar po e lëshojnë vendin për të gjetur një vend më të mirë”, tha ai.

Shahini theksoi se këto zgjedhje nuk kanë efekt të madh pozitiv derisa tha se humbjet në këto zgjedhje do të jenë mbi 50 milionë euro.

“Presim që do të bëhet me mirë por efekt nuk kanë të madh pozitiv sepse angazhimi i të gjitha strukturave politike po bën që shumë probleme të investimeve e të biznesit dhe rritjes se imazhit të vendit të mbesin në një vend pa lëviz. Po ballafaqohet edhe me lobimin e fuqishëm të Serbisë për çnjohjen e Kosovës derisa Kosova rrinë në gjumë. Për shkak të zgjedhjeve të parakohshme Kuvendi dhe deputetët nuk aprovuan më shumë se 50 ligje që kanë të bëjnë me zhvillimet në vend. Humbjet në këto zgjedhje do të jenë mbi 50 milionë euro”, tha ai.

“Në vendin tonë do të garojnë mbi 600 për deputetë, këta do të investojnë mbi 7milionë euro. KQZ-ja ka ndër 6 mijë euro për zgjedhje. Duke përfshirë salla, organizime, dreka e darka shpenzojnë rreth 13 milionë euro. Kjo fushatë do ti kushtoj vendit më shumë se 16 milionë euro. Ne AKB-ja vlerësojmë se qeveria e re që nga themelimi i saj dihet të ketë një plan të zhvillimit të vendit dhe ta ruaj kapitalin njerëzor”, tha Shahini, raporton EO.

Nënkryetari i AKB-së, Suad Berisha, theksoi se vendi ka pasur nevojë për zgjedhje të reja, për shkak të ngecjes së vendit në zhvillim ekonomik.

Ai kërkoj nga subjektet politike që të dalin me një program ekonomik, pasi sic tha ai zhvillimi ekonomik i një vendi determinon zhvillimin e të gjitha fushave.

“Kosova ka pasur nevojë për zgjedhje të reja. Është parë një ngecje mos realizim të parametrave ekonomik. Ato ngecje janë si në aspektin e investimeve të huaja por edhe në aspkete të tjera. U formua një bllokadë e trupave që kane qenë pjesë e qeverisë. Zhvillimi ekonomik i vendit determinon zhvillimin e të gjitha fushave. Deri tash nuk kemi parë nga ndonjë parti politike që ka prezantuar ndonjë program ekonomik. Kështu qe ne si AKB presim që ato programe ti riorientojnë dhe qeveria që do të dalë nga këto zgjedhje të ketë një program reformues që do të ndikoj në rritjen ekonomike të vendit tonë si dhe mirëqenies se qytetarëve të Kosovës”, ka thënë ai, raporton EO.