Shatri i quan të pavërteta shifrat e LVV-së për borxhin publik

Këshilltari i Kryeministrit, Haki Shatri ka reaguar lidhur me pretendimet e Lëvizjes Vetëvendosje për rritjen e borxhit publik gjatë qeverisjes aktuale.

Ai ka theksuar se Lëvizja Vetëvendosje po vazhdon tendencën për të manipuluar me shifra.

“Me qëllim të informimit të saktë, i njoftojmë qytetarët e Republikës së Kosovës se borxhi total publik i Kosovës nuk arrin në 1.2 miliardë euro. Kur themi total, e kemi fjalën për borxhet publike, që nga shpallja e Pavarësisë, deri më sot.

Në mandatin e Kryeministrit Haradinaj, huaja publike nuk tejkalon parametrat e pranueshëm. Struktura e investimeve është e përcaktuar me buxhetet vjetore, përmes marrëveshjes me FMN /klauzola e investimeve/ku hyjnë investimet në hekurudhë, në infrastrukturë por edhe investimet në rrugë, si shembull rruga për Mitrovicë dhe pjesa e rrugës për Pejë/Kijevë -Zahaq e cila fillon në shtator. Secila kredi shtetërore duhet të ratifikohet në Kuvend. Nuk ka asgjë misterioze në shpenzimet dhe huat.

Kosova ka borxh publik vetëm 17 % të GDP që është ngarkesa më e vogël nga të gjitha vendet e rajonit.

Kriteret e FMN-së e lejojnë borxhin deri në 40% të GDP. Është mirë që Lëvizja Vetëvendosje, para se të dalë me “fakte” (shpifje) të bëjnë analiza të sakta. Nuk duhet që të mashtrohen qytetarët me manipulim të shifrave për qëllime politike. Faktet janë fakte, e ato tregojnë që zhvillimi ekonomik, si prioritet i Qeverisë ka dhënë rezultate të prekshme”, thuhet në reagimin e Shatrit, të përcjellë përmes Zyres për Komunikim Publik të Kryeministrisë.