Shefi i UNMIK-ut me akuza të rënda, thotë se Policia e Kosovës ushtroi dhunë të tepruar ndaj zyrtarëve të saj

Mbledhja e sotme e Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara ku është diskutuar për Kosovën, ka ngjallur debat të madh sidomos për ngjarjet e fundit në Kosovë.

Shefi i UNMIK-ut, i cili njëherësh është edhe Përfaqësuesi Special i Sekretarit të Përgjithshëm në Kosovë, Zahir Tanin, në prezantimin e raportit të tij tremujor, u fokusua veçanërisht në aksionin e fundit të Policisë së Kosovës në veri të Kosovës.

Në këtë rast, Tanin ka ngritur çështjen e arrestimit të shtetasit rus, Mikhail Krasnoshchenkov dhe një zyrtari tjetër të këtij misioni me përkatëse serbe. Të dy këta persona ishin arrestuar nga Policia e Kosovës gjatë kohës kur zhvillohej aksioni më 28 maj të këtij viti.

 “Gjatë këtij operacioni u arrestuan dhe u lënduan në incidente të ndara dy punonjës të UNMIK-ut në Zubin Potok, një ndërkombëtar dhe një vendor. Është përgjegjësi e Organizatës së Kombeve të Bashkuara që në mënyrë objektive të përcaktojë rrethanat që kanë prekur punonjësit e saj, të cilën gjë ne e bëjmë në mënyrë sistematike në pajtim të plotë me praktikat e OKB-së, si dhe me imperativin për të përcaktuar faktet në mënyrë të shpejtë. Kjo është veçanërisht e rëndësishme që ju ta dini, duke pasur parasysh informacionet e paverifikuara dhe spekulimet që janë paraqitur në opinion”, ka deklaruar Tahin në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, transmetojnë mediat kosovare.

Madje, shefi i UNMIK-ut ka akuzuar Policinë e Kosovës, siç ka thënë ai, për “dhunën e tepruar dhe keqtrajtimin gjatë arrestimit”.

“Të dy punonjësit duket se i janë nënshtruar dhunës së tepruar dhe keqtrajtimit gjatë arrestimit nga policia, gjë që u janë shkaktuar lëndime që kanë kërkuar hospitalizim. Kjo është një çështje që do të jetë pjesë thelbësore e hetimeve që ne i kemi iniciuar”, ka theksuar ai.

Tanin u shpreh se imuniteti i zyrtarëve të UNMIK-ut nuk u respektua gjatë arrestimit dhe paraburgimit nga ana e institucioneve të Kosovës. Ai ka shtuar se “prona e Organizatës së Kombeve të Bashkuara është bastisur dhe sekuestruar në mënyrë jo të duhur dhe në kundërshtim me ligjet përkatëse dhe me imunitetin e Organizatës”.

Gjatë raportimit, ai ka thënë se menjëherë pas arrestimit të zyrtarëve të UNMIK-ut ka kërkuar lirimin e menjëhershëm të tyre, ndërsa ka kritikuar Kosovën se nuk ka komunikuar në mënyrë të rregullt me UNMIK-un.

“Përkundër kërkesave tona për bashkëpunim dhe një marrëdhënie pune normale me autoritetet e Kosovës, gjendja e tanishme është se autoritetet u kanë dhënë Kombeve të Bashkuara shumë pak dëshmi relevante apo faktike lidhur me arrestimin dhe lëndimin e punonjësve tonë. Njëkohësisht, disa prej autoriteteve të Kosovës kanë lëshuar deklarata për shtyp, si dhe letërkëmbime diplomatike drejtuar shteteve anëtare të OKB-së. Në këto informata mungon baza adekuate e dëshmive, në kundërshtim me atë që ne kemi kuptuar deri më tani, dhe kemi shmangie nga çështjet thelbësore për një hetim objektiv”, ka deklaruar shefi i UNMIK-ut në KS të OKB-së.

Ndërsa, lidhur me shpalljen e punonjësit rus të UNMIK-ut si “persona non grata” nga Qeveria e Kosovës, shefi i UNMIK-ut deklaroi se kjo çështje nuk vlen për punonjësit e OKB-së.

Pavarësisht akuzave e kritikave të ashpra drejtuar institucioneve kosovare, Tanin u shpreh se “misioni ynë plotësisht i përkrahë të gjitha përpjekjet e institucioneve të Kosovës në luftimin e rrjeteve të krimit të organizuar dhe në eliminimin e korrupsionit në institucionet publike.”

Në raportin e tij tremujor, Tanin ka folur edhe për marrëdhëniet ndërmjet Kosovës e Serbisë, duke theksuar se “gjendja nuk mbetet thjeshtë e brishtë, por mund të kthehet së prapthi, gjë që shpesh edhe ka ndodhur”.

Krahas kësaj, ai ka përmendur edhe çështjen e taksës 100 përqind që i është vënë importimit të mallrave të Serbisë dhe Bosnjë-Hercegovinës nga ana e Kosovë, si dhe për organizmin e zgjedhjeve në katër komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës.