Sheholli: Ka shumë shqiptarë që punojnë për Shërbimin Sekret të Serbisë

Drejtuesi i Institutit për Afrimin e marrëdhënieve ndëretnike Fatmir Sheholli, ka thënë se ka qenë i ftuar nga Dhomat e Specializuara në Hagë si dëshmitar rreth çështjes së vrasjes për prindin e tij.

Sheholli tha se lidhur me këtë çështje nuk ka gisht Ushtria Çlirimtare e Kosovës.

“Më 12 shkurt kam qenë i ftuar nga Dhomat e Specializuara në cilësinë e deshmitarit. Kam qenë i ftuar në lidhje me një komunikatë ku përmendet vrasja e prindit tim, dhe në atë dëshmi timen e kemi sqaruar të gjitha çështjet, me dëshmitë e mia dhe me dëshmitë që i ka pasur Dhomat e Specializuara që Ushtria Çlirimtare e Kosovës nuk ka gisht në këtë. Kjo varet prej tyre varësisht prej të dhënave që ata i kanë. Unë kam qenë i ftuar si dëshmitar ashtu sikur 70 për qind e të ftuarve nga kjo Gjykatë”.

Ai ka folur edhe për aktivitetin e tij dhe rolin brenda sektorit të analitikes së Sigurimit Shtetëror të Kosovës.

“Kam qenë në sektorin e analitikës, si analist i Kosovës. Ka qenë sigurim shtetëror i Kosovës. Kanë qenë shumë shqiptarë që kanë punuar aty. Jemi munduar që në atë fazë 89-93 të japim një kontribut të jashtëzakonshëm në kanalet e komunikimit me presidentin Rugova”.

Sheholli theksoi se ka pasur kontakte edhe me presidentin Ibrahim Rugova.

“Ka pasur ai me neve. Njerëzit e tij kanë ardhur deri tek ne dhe ne kemi pasur mirësinë dhe nderin që kemi punuar për të. Informacione e analitikes ka qenë të tilla që kanë mundur të ia sqarojnë jo vetëm atij por Fehmi Aganit dhe njerëzve të tjerë që kanë qenë ndërmjetësues. Ato kanë qenë informacione që i kanë paraprijë çështjeve për të cilat z. Rugova është dashur që ai ta kuptojë për shumë njerëz, cili ka qenë qëllimi i veprimit me ata që kanë qenë lëndë e punës për Sigurimin Shtetëror”.

Analisti politik Fatmir Sheholli, tregoi edhe për aktivitetet e tjera pas lënies së këtij shërbimi.

“Unë e kam lënë shërbimin në maj të vitit 93, kur edhe patëm filluar të diktojmë se po dekonspirohemi dhe informacionet e tona po hidhen në shportë dhe kur numri i punëtorëve që kemi 80 për qind shqiptarë filloi të zvogëlohej”.

“Ne nuk do të mund të jepnim kontribut më ashtu si kemi dhënë dhe se mund të binim pre e arrestimeve dhe dekonspirimeve dhe heqem dorë nga ky koncept. Unë në shtëpinë e Rugovës kam qenë më 14 prill 99, kur është bërë një intervistë. Dhe në librin “Pengu të Adnan Merovcit, shihet se kam qenë aty me zor dhe jo me qef”.

“Nga pala serbe kemi qenë në rrezik por që nuk mund ti dimë të gjitha. Fati i mirë i joni ishte që ne që kemi punuar për Lidhjen Demokratike jemi gjallë, por disa që i kam njohur nuk janë në jetë”.

Sheholli theksoi se raportet e tij me njerëzit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kanë qenë shembullore.

“Raporti im me njerëz e UÇK-së ka qenë shembullore dhe ka qenë jashtëzakonisht kontribuues kur ka qenë nevoja që unë të afrohem me ta. Ky afrim ka besoj që për vëllezërit e mi ka filluar shumë më herët sepse ata kanë qenë pjesë e njësisë territoriale të UÇK-së në fshatin Hërticë. Ka filluar familjarisht ok, kurse për mua 99 e tutje”.

Ai tha se ka qenë edhe bashkëpunëtor me Shërbimin Informativ të Kosovës.

“Kam qenë bashkëpunues me Shërbimin Informativ të Kosovës dhe ka qenë një nga periudhat më të shndërritshme të jetës time për bashkëpunim me ta. Njerëzit kur flasin për Shërbimin Informativ të Kosovës, gjërat shihen më ndryshe. Unë kam qenë në kontakt me njerëzit e SHIK-ut. Nuk jam takuar me Kadri Veselin. Kontributi im në këtë aspekt ka qenë që serbet dhe komunitetet e tjera ta kuptojnë realitetin dhe parlamentarizmin në Kosovë”.

Tutje ai tha se ka shumë shqiptarë që punojnë për Shërbimin Sekret Serb që quhet BIA.

“Unë besoj që ka shumë shqiptarë që punojnë për BIA-n. Ju e dini që ka shqiptarë edhe në Serbi. Për në Kosovë edhe Agjencia e Inteligjencës, edhe e KFOR-it i dinë ata njerëz që kanë kanale të tilla të komunikimit”.

“Serbia në këtë drejtim nuk rri rehat dhe vazhdimisht rekruton njerëz, por e mira e kësaj është që ata vetëm mund të marrin informacione por të veprojnë e kanë të pamundshme”.

Sipas tij shërbimet jo mike e ka për qëllim që Kosova të mos ketë bërthamë amerikane ashtu si e ka tani.

“Natyrisht shërbimet jo mike si janë ato të Rusisë, Kinës dhe disa vendeve që nuk na janë njohur kur jemi në një situatë të amullisë në dialog, qëllimi tyre është që Asociacioni i Komunave të marrë përmasa ekzekutive. Do të thotë që vendi ynë të mos ketë një bërthamë amerikane, amerikanizmit në Kosovë dhe këtë po mundohen edhe nëpërmjet disa partive”.

Numri një i Institutit për afrimin e marrëdhënieve ndëretnike foli edhe rreth dialogut Kosovë-Serbi.

Ai tha se institucionet duhet të sigurohen që veriut të i vije era shtet ashtu si gjitha pjesët e tjera të Kosovës.

“Së pari në veri duhet të i vijë era shtet dhe unë besoj që së shpejti Kosova do të tregojë era shtet.  Meqë të gjitha institucionet flasin për integritet territorial. Atje duhet të jetojnë të gjithë të barabartë. Unë kam besim që Kosova do të marr aksione për të rregulluar gjendjen”.

Sipas tij presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiq, nuk do ta pranojë Pavarësinë e Kosovës.

“As Vuçiqi dhe askush nuk guxon ta nënshkruaj Pavarësinë e Kosovës, sepse Kosova është në Kushtetutën e Serbisë në Preambulën e saj. Dhe nëse Vuçiq do ta nënshkruante ai do të shpallej tradhtar. Të gjitha këto negociata që po zhvillohen në Bruksel sepse Serbia duhet ta heq Kosovën nga Preambula. Për të ndodhë kjo Vuçiq ka thënë se duhet të mbahet një referendum”.

Ai nuk beson se sivjet do të ketë marrëveshje Kosovë-Serbi./klankosova/