Shehu jep detaje për 5 rastet e fundit me COVID-19 në Prizren

Mbrëmë janë konfirmuar edhe pesë raste të reja me COVID-19 në Prizren. Katër prej të infektuarve janë persona që kanë qenë në listën e kontakteve, derisa pacientja e pestë ka qenë duke u trajtuar qe katër ditë në Spitalin e Prizrenit dhe pas testimit ka dal pozitive. Detaje rreth këtyre rasteve ka dhënë Drejtori për Shëndetësi, Visar Shehu.

Shehu i ka thënë Gazetës Express se dje nga kjo komunë janë testuar 30 persona të cilët kanë qenë në listën e kontakteve. Por, në mesin e atyre që ka dal pozitive është edhe një paciente e cila ka qenë duke u trajtuar në Spitalin e Prizrenit.

“Dje në Komunën e Prizrenit janë testuar 30 persona, prej tyre katër kanë dal pozitiv. Të gjitha rastet janë raste kontakti. Ndërkohë, rasti i pesë nuk ka qenë fare në listën e testimeve. E infektuara ka qenë duke u trajtuar qe katër ditë në Spitalin e Prizrenit dhe ka qenë me probleme kardiovaskulare dhe pas testimit ka dal pozitiv”, ka deklaruar ai.

Sipas Shehut, sot nuk pritet të bëhen testime të reja, meqenëse thotë se duhet të gjurmohen kontaktet dhe të krijohet një listë tjetër. Testimi i tyre pritet që të bëhet gjatë ditëve në vijim.

“Sot nuk e besoj që testohet najkush, sepse tash duhet me u bë lista e re. Me u gjurmu dhe analizu kontaktet e reja dhe besoj që tek nesër fillohet me testime. Në gjithë komunën deri tani janë konfirmuar 27 raste, ku prej tyre një i infektuar ka vdekur dhe një është shëruar”, ka thënë Shehu për Expresss.

Ndryshe, mbrëmë janë konfirmuar edhe 36 raste të reja me koronavirus. Me këtë shifër, numri i të infektuarve në gjithë vendin ka arritur në 423.

Sipas Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik, nga data 08 shkurt deri më 15 prill 2020, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK me metodën RT-PCR, janë testuar gjithsej 3.720 mostra të dyshimta në virusin SARS-CoV-2 dhe janë kontaktuar dhe janë nën mbikëqyrje 5.279 kontakte të rasteve.

Numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më sot është gjithsej shtatëdhjetë e një, derisa numri i atyre që kanë vdekur ka arritur në nëntë. /Gazeta Express