Shënohet Dita Ndërkombëtare e Vajzave

Në shënim të Ditës Ndërkombëtare të Vajzave, zyra e UN Women në Kosovë në bashkëpunim me aktivisten dhe artisten konceptuale Alketa Xhafa-Mripa, shfaqën publikisht potencialin e grave dhe vajzave të reja përmes një vepre artistike publike e cila synon të fuqizoj vajzat e reja.

Nën sloganin global të Ditës Ndërkombëtare të Vajzave “Forca e vajzave: E pashkruar dhe e pandalshme,” nëpërmjet muralit artistik, inkurajohen vajzat që të jenë të pranishme në hapësira publike, të marrin pjesë në formësimin e së tashmës dhe që simbolikisht të vulosin një të ardhme të barabartë për to dhe gjeneratat e ardhshme.

Në formësimin e këtij murali u përdorën mbi 160 thënie frymëzuese të dërguara nga vajzat e reja nga tërë Kosova, të cilat u mblodhën gjatë disa javëve.

Që nga viti 2012, ҫdo 11 tetor festohet Dita Ndërkombëtare e Vajzave në mbarë botën. Kjo ditë ka për qëllim të adresoj nevojat dhe sfidat e vajzave, duke promovuar fuqizimin e vajzave dhe përmbushjen e të drejtave të tyre njerëzore.

Zbulimi i muralit u bë në Qendrën e Studentëve të Universitetit të Prishtinës, ku të pranishmëve ju drejtua Ulrika Rikardson, Koordinatore për Zhvillim nga Kombet e Bashkuara në Kosovë. Me këtë rast ajo u shpreh: “Kohëve të fundit po e shohim që ndryshimi po ndodh, dhe ju, të rinjtë do t’a udhëheqni atë ndryshim. Shpresoj që këto citate në mural janë premtimet tuaja ndaj vetvetes në lidhje me ato që do të arrini në jetën tuaj.”

Ndërsa, autorja e muralit Alketa Xhafa-Mripa tha: “Arsyeja pse është bë kjo vepër është për juve, këto janë thëniet e juaja dhe ju jeni autoret e kësaj vepre. Ky mural është diҫka që ka me mbet, e ashtu edhe kërkesat e juaja në të.”

Poashtu, në kuadër të aktiviteteve të Ditës Ndërkombëtare të Vajzave, në mbrëmjen e 11 tetorit, nga ora 19:00 do të bëhet projeksioni i thënieve frymëzuese nga vajzat. Këto thënie do të projektohen në ndërtesën e Qeverisë të Kosoves, në Sheshin Gjergj Kastrioti Skëndërbeu. Projeksioni mbështetet nga UN Kosovo Team.