Shfaqen pakënaqësi në PDK

Zgjedhja strukturave udhëheqëse të Partisë Demokratike të Kosovës ka lënë të pakënaqur një numër të personaliteteve të kësaj partie.

Ish kryetari i degës së PDK-së dhe ish zëvendësministri Lirak Çelaj dhe ish këshilltari i Kadri Veselit, Nijazi Kryeziu, kanë shprehur publikisht pakënaqësitë e tyre me përzgjedhje e bëra në PDK.

Çelaj në një postim në profilin e tij në rrjete sociale është deklaruar se: “Mund të jenë zgjedhur njerëzit e duhur por vetëm për demokraci të brendshme nuk mund të flitet. Përveç që në Këshill Drejtues nuk na është mundësuar të debatojmë rreth përbërjes së Kryesisë as nuk na është mundësuar të votojmë si duhet. E sot as ky vendim nuk është respektuar duke futur aty emra që as nuk janë paraqitur para Këshillit Drejtues të PDK-së që të votohen në mënyrë ‘demokratike’”.

Ndërkohë Kryeziu ka ironizuar nëse duhet të urohen përsonat e zgjedhur në strukturat partiake pa i pyetur anëtarët e partisë.

“Kryetari Kadri Veseli dhe Kryesia e PDK-së përgëzuan të porsazgjedhurit për përgjegjësitë e reja, duke vlerësuar lart demokracinë e brendshme të shfaqur gjatë procesit zgjedhor. Kjo i bjen me e përgëzu vetveten, në emër të demokratëve, pa i pyetur demokratët. Prandaj demokratët e PDK-së janë në hall a me ju dërgu sms dhe mesazhe urimi të emëruarve privatisht! Apo me u mat e me shkrujt publikisht, urim jo se jo sepse ky aktemrim kolektiv nuk është për urim!”, ka shkruar Nijazi Kryeziu në profilin e tij në rrjete sociale.

Ndyshe, PDK gjatë ditës së sotme ka njoftuar opinionin publik mbi përzgjedhjen e strukturave të larta drejtuese të kësaj partie me ç’rast Uran Ismaili dhe Shaqir Totaj janë zgjedhur nënkryetarë të PDK-së.