Shkeljet në fushatë, 154 mijë euro gjoba, prin PDK-ja e pasuar nga LDK-ja

Mbi 150 mijë euro është shuma që janë dënuar partitë politike pwr shkeljet rregullave zgjedhore gjatë fushatës për zgjedhjet e 6 tetorit.

PDK-ja, LDK-ja, koalicioni AAK-PSD, Lista Serbe dhe Nisma Socialdemokrate, janë partitë të cilat u dënuan në këtë fushatë.

E lidhur me këtë, kryesuesi i Sekretariatit të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, Mul Desku, ka thënë se në listën e gjobave prin PDK-ja, e pasuar nga LDK-ja dhe koalicioni AAK-PSD.

“Prej 104 ankesave sa janë paraqitur për këtë fushatë, deri më tani janë shqyrtuar 60 ankesa, prej tyre janë miratuar si të bazuara 37 ankesa, ndërsa janë refuzuar si të pabazuara 20 ankesa. E 44 ankesa i kemi në proces të shqyrtimit. Ndërsa sa i përket gjobave për shkeljen e kodit të mirësjelljes nga subjektet politike gjatë fushatës, deri më tani janë gjobitur kryesisht partitë e mëdha, siç janë PDK me 52, 900 euro, LDK me 32,700 euro, Koalicioni AAK-PSD me 28,800 euro, Lista Serbe me 36,100 euro. Shuma totale e gjobave të shqiptuara deri më tani është 154,450 euro”, ka thënë Desku.

Ai ka thënë se në këtë fushatë, janë paraqitur 104 ankesa nga organizatat joqeveritare.

“Mund të them se e kanë thyer kodin e mirësjelljes shtatë subjekte. Subjektet më të mëdha kanë bërë fushatë më të madhe dhe ndoshta e gjatë bërjes së fushatës, është konstatuar nga paneli se kanë shkelur kodin e mirësjelljes. Lidhur me fushatën zgjedhore deri më tani janë paraqitur 104 ankesa për të gjitha subjektet, të paraqitura disa nga Organizatat joqeveritare e disa nga vet subjektet politike, sic janë Lëvizja Vetëvendosje, LDK, PDK e disa parti më të vogla”, ka thënë Desku për EO.

Desku ka treguar edhe procedurat e mëtutjeshme, nëse partitë politike nuk i kryejnë obligimet më kohë, ku afati i fundit për shlyerjen e gjobave është 15 ditë.

“Të them të drejtën deri më tani ne kemi një përvojë të mirë të pagesës së gjobave. Në secilin vendim PZAP cakton një afat prej 15 ditësh për pagesën e këtyre gjobave. Vendimet PZAP-it mund të ankohen edhe në Gjykatën Supreme, pasi që vendimet e Supremes janë vendimtare. E pas kësaj, është afati për pagesë, mirëpo nëse nuk paguhet brenda këtij afati, i kemi procedurat tjera që i shfrytëzojmë përmes përmbarimit”, ka thënë Desku.

“Deri më tani kemi një arkëtim shumë të mirë të këtyre gjobave. Mund të themi se për zgjedhjet e kaluara, diku mbi 600 mijë janë shqiptuar gjobat për zgjedhjet parlamentare dhe ato komunale. Vetëm edhe 5900 euro janë të papaguara”, ka thënë Desku.

Desku ka thënë se Alternativa e Mimoza Kusari-Lila ka ende një shumë të papaguar. /Ekonomia Online/