ShKK jep hollësi për incidentin në 20 vjetorin e përkujtimit të masakrës në Burgun e Dubravës

Sot me rastin e njëzet vjetorit të përkujtimit të masakrës në Burgun e Dubravës, Shërbimin Korrektues i Kosovës  ka planifikuar planin operativ “Masakra e Dubravës” , me qëllim  të ofrimit të kushteve Këshillit Organizativ për të mbajtur këtë eveniment, njofton Shërbimi Korrektues i Kosovës. 

Gjatë kësaj ceremonie, SHKK pohon se ka ofruar siguri dhe lejimin e hapësirës për këshillin organizativ të këtij përvjetori, ku gjatë këtij operacioni kanë qenë të angazhuar rreth treqind oficerë korrektues, dhjetë kombibus dhe shtatë vetura, të cilat kanë bartur pjesëmarrësit  e ceremonisë nga hyrja kryesore deri te vendi ku po shënohej njëzet vjetori i masakrës së Burgut të Dubravës.

“Gjatë kohës kur po mbahej ceremonia në hapësirat e Qendrës Korrektuese në Dubravë një qytetar ka tentuar ta prishë ceremoninë. I menjëhershëm ka qenë reagimi i oficerëve korrektues duke e larguar nga vendi ku po zhvillohej ceremonia, bashkë me të ishin edhe disa persona tjerë, të cilët u  dërguan jashtë perimetrit të qendrës korrektuese. Të lartpërmendurit u arrestuan nga policia, ndërsa ceremonia vazhdoi e qetë, ku çdo gjë rrodhi mirë ashtu siç ishte paraparë me planin operativ”, njofton ShKK.