Shkup, parlamenti miraton kabinetin e qeverisë së re teknike

Parlamenti i Maqedonisë së Veriut e votoi të premten kabinetin e Kryeministrit të ri të qeverisë teknike, Oliver Spasovski. 101 deputetë votuan pro dhe asnjë nuk pati kundër. Më herët, në mëngjes zoti Zoran Zaev dha dorëheqjen nga detyra.

Më herët, në mëngjes zoti Zoran Zaev dha dorëheqjen nga detyra dhe parlamenti e miratoi atë menjëherë në seancë plenare. Më këtë veprim iu hap rruga formimit të qeverisë së re teknike. Presidenti Stevo Pendarovski ia dorëzoi mandatin për formimin e qeverisë kalimtare Oliver Spasovskit, i cili deri sot ishte Ministër i Brendëshëm në qeverinë e zotit Zaev.

Kjo vjen si rezultat i Marrëveshjes së Përzhinës sipas së cilës Kryeministri jep dorëheqjen 100 ditë para zgjedhjeve. Qeveria e re teknike, në të cilën merr pjesë edhe opozita, organizon zgjedhjet.

Në qeverinë e zotit Spasovski do të ketë dy ministra nga radhët e opozitës VMRO-DPMNE. Ministër i ri i Brendshëm u zgjodh Naqe Çulev, ndërsa Ministre e Çështjeve Sociale, Rashela Mizrahi, të dy nga partia opozitare VMRO-DPMNE-ja, e cila do të ketë edhe tre zëvendës-ministra në kabinetin qeveritar. Ministrja e deritashme e Çështjeve Sociale, Mila Carovska do ta marrë postin e Zv/Kryeminstres për Çështjet Ekonomike.

Gjatë fjalimit para ligjvënësve, zoti Spasovski tha se qeveria e re do t’i ndërmarrë të gjitha masat për organizimin e zgjedhjeve të suksesshme parlamentare dhe se institucionet përkatëse do ta kenë mbështetjen e tij të plotë për realizimin e tyre. Ai pret bashkëpunim të ngushtë me të gjitha institucionet që do t’i vëzhgojnë zgjedhjet e parakohshme të 12 prillit.

“Kemi përgjegjësi historike për të vazhduar me organizimin e zgjedhjeve, siç i ka hije një Maqedonie (të Veriut) evropiane, e cila synon anëtarësimin e plotë në BE”, tha kryeministri i ri. Ai përmendi edhe arritjet e qeverisë së mëparshme në fushën e organizimit të zgjedhjeve të fundit presidenciale, referendumit për ndryshimin e emrit, dhe ndërtimin e marrëdhiëneve të mira me vendet fqinje.

Zoran Zaev nuk ishte i pranishëm në parlament, ku u miratua dorëheqja e tij dhe ajo e kabinetit të tij. Ai kërkoi zhvillimin e zgjedhjeve të reja i zhgënjyer nga Bashkimi Evropian që nuk i dha datën Maqedonisë së Veriut për fillimin e bisedimeve për anëtarësim. / VOA