Shoqata e Sigurimeve thotë se kompanitë po punojnë me humbje

Shoqata e Sigurimeve të Kosovës përmes një komunikate për media thotë se që 18 vite është duke punuar më humbje, të cilat sipas saj pësuan 23,5 milionë euro humbje për 6 vite.“Sektori i Sigurimeve në vendin tonë edhe më tutje vazhdon të punojë me bilanc vjetor negativ për shkak të shumës së madhe të mjeteve që kompanitë e sigurimeve për çdo vit detyrohen të paguajnë në emër të dëmeve të mëdha që shkaktohen në vend nga automjetet e siguruara, por edhe rreth 100 mijë automjete të pasiguruara sa llogaritet të jenë në vendin tonë”, thuhet në komunikatë.Shoqata më tutje shton se referuar të dhënave zyrtare Kosova ka numrin më të madh të automjeteve të pa siguruara se të gjitha shtetet e rajonit.
“Bazuar në të dhëna zyrtare të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), shihet shumë qartë se nga vitit 2002, e deri në fund të muajit shtator të këtij viti, shuma e dëmeve të kompensuara kalon shifrën mbi 400 milionë euro, shifër kjo më e lartë krahasuar me vendet e rajonit.
Por, gjatë gjithë këtyre viteve në total të gjitha kompanitë e sigurimit që operojnë në vendin tonë kanë arritur të humbin më shumë se 23,5 milionë euro, pra nëse e nxjerrim një mesatare nga viti 2002 e deri më tash të gjitha kompanitë e sigurimit që operojnë në vendin tonë gjatë çdo viti kanë humbur rreth 1,3 milion euro”, thuhet në komunikatën e Shoqatës së Sigurimeve të Kosovës.Tutje thuhet se përveç numrit në rritje të automjeteve të pa siguruara, numrit në rritje të aksidenteve, në bilancin negativ vjetor të kompanive të sigurimit kanë ndikuar edhe obligimet shtesë që industria e sigurimit është dashur të paguajë ndaj shtetit, si asnjë korporatë tjetër në Kosovë.
Sipas kësaj Shoqate kompanitë e sigurimit janë në gjendje të rëndë financiare, pasi që ka rritje ekstreme të aksidenteve me lëndime të rënda, por edhe aksidenteve më lëndime të lehta.

“Kjo që ka ndodhur në vendin tonë nuk ka ndodhur në asnjë vend tjetër të rajonit, por edhe më larg. Ka rritje të konsiderueshme të dëmeve, polica e sigurimit e cila edhe me rritjen e fundit ka çmimin më të lirë në rajon, derisa ka një mbulueshmëri deri në një milion euro, shumë kjo e barabartë me shtete të zhvilluara Evropiane. Industria e sigurimit në vendin tonë përpos rëndësisë ekonomike që ka, luan edhe një rol të rëndësishëm në aspektin social, kur dihet se në të direkt dhe indirekt punësohen mbi 2700 punëtorë në të gjitha komunat e vendit”, thuhet në komunikatë.Shoqata shton se tendenca për të dëmtuar industrinë e sigurimeve, ku më shumë se gjysma është me kapital të huaj dëmton edhe imazhin e vendit karshi investitorëve të huaj të cilët edhe më tutje Kosovën e shohin si mundësi për ta investuar një pjesë të kapitalit të tyre.

“Andaj kërkojmë që Kompanitë e Sigurimeve të trajtohen dhe vlerësohen si aset dhe faktor i rëndësishëm i zhvillimit ekonomik dhe i stabilitetit financiar të vendit. Pronarët real të kompanive të Sigurimit janë polisëmbajtësit, pra qytetarë të Kosovës”, thuhet në komunikatë.Kujtojmë se ditë më parë ka hyrë në fuqi vendimi i BQK-së për shtrenjtimin për 26 për qind të sigurimit të automjeteve.