Shoqata “Peja” nga New Yorku ndihmon qytetarët e Kosovës

Komuniteti shqiptar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilët janë anëtarë të Shoqatës humanitare “Peja”, sikurse edhe herëve tjera, edhe këtë fundvit, vazhdojnë të ndihmojë qytetarët e Republikës së Kosovës, aty ku ka më së shumti nevojë, sidomos familjet me të ardhura jo të mira, dhe familjet me nevojë të veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët janë duke u përballuar më një situatë të vështirë sociale.

Për shumë vite me radhë, Shoqata humanitare “Peja” nga New Yorku, me seli në Bronx, e cila ka të vetmin qëllim, t’ju ndihmojë qytetarëve në Kosovë, sidomos familjeve në nevojë, jo vetëm në Pejë dhe rrethinë, por edhe në Klinë, Istog e Deçan, përmes anëtarësisë së vet, sivjet në përgjithësi ka ndihmuar qytetarët në vendlindje me përafërsisht 50 mijë dollarë, ose më saktësisht 48. 480 dollarë.

Edhe kësaj herë ata do t’i gëzojnë hiq me pak se 280 familje në nevojë për festën e fundviti, ku vlera e një pakoje është mbi 40 euro. Përpos pakos së ushqimeve, këtyre familjeve i është dhuruar nga 25 kg miell, në mënyrë që sado pak të zbutet situata e tyre sociale, në këtë kohë ku qytetarët e vendit janë duke u përballur edhe me pandeminë COVID-19.

Me këtë rast, kryetari i Shoqatës humanitare “Peja”, në New York, Rejmond Zeka, në një deklaratë për Telegrafin, tha se iniciativën e tyre tash e disa vite me pako ushqimore dy herë në vit për familjet në nevojë në Kosovë, e vazhduan edhe për këtë fundvit.

Ai falënderoi të gjithë anëtarët dhe miqtë e Shoqatës “Peja”, në New York, që e përkrahin këtë iniciativë tash e disa kohë, edhe përkundër obligimeve tjera financiare që kanë për familjet e tyre këtu dhe në Kosovë.