Shoqëria civile refuzon të jetë pjesë e ekipit negociator me Serbinë

Duke konsideruar se janë të pabarabartë me anëtarët e tjerë të ekipit negociator të Kosovës në dialogun me Serbinë, pjesëtarët e shoqërisë civile kanë vendosur që të mos bëhen pjesë e këtij ekipi.Ndonëse me Ligjin për dialog, të miratuar në Kuvendin e Kosovës në dhjetor të vitit të kaluar, shoqërisë civile i është rezervuar një ulëse, megjithatë askush nga shoqëria civile nuk është bërë pjesë e këtij ekipi.Mirëpo, qysh në fillim, anëtarë të shoqërisë civile, kanë dërguar vërejtjet e tyre për Ligjin për Dialogun, që konsiderohet antikushtetues.Sipas Jeta Krasniqit nga Instituti Demokratik i Kosovës, në Ligjin për delegacionin shtetëror mungon pjesa e përzgjedhjes së anëtarit të shoqërisë civile duke e venë në pozitë më ndryshe me anëtarët e tjerë të këtij ekipi.

Edhe Përparim Kryeziu nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike, thotë se problemet për përzgjedhjen e anëtarit të shoqërisë civile fillojnë tek projektligji.Sipas tij, mënyra se si rregullohet përzgjedhja e këtij anëtari e bën atë automatikisht të pabarabartë me anëtarët tjerë të delegacionit shtetërorë dhe përfaqësuesi i shoqërisë civile nuk do ta kishte peshën e njëjtë në delegacion.Kryeziu thotë se nuk ka dhe nuk ka pasur deri tash një vullnet që të plotësohet kjo ulëse.

Ndërkaq, Jeta Krasniqi nga KDI, thotë se shoqëria civile ka mënyrë se si i përzgjedh anëtarët e saj. Fillimisht, përzgjedhja shkon përmes nominimit dhe votimit nga shoqëria civile, e pastaj votimi në Kuvendin e Kosovës.

Ekipi negociator, që bashkë-udhëhiqet nga kryetari i Nismës Social Demokrate Fatmir Limaj dhe kryetari i Partisë Social Demokrate, Shpend Ahmeti, qysh prej krijimit të ekipit negociagtor, i kanë bërë thirrje shoqërisë civile që të bëhet pjesë e këtij ekipi.Përveç bashkëkryesuesve, pjesë e këtij ekipi janë edhe anëtarë të partive tjera, duke përjashtuar dy partitë më të mëdha opozitare, Lidhjen Demokratike të Kosovës dhe Lëvizjen Vetëvendosje, që kanë refuzuar të bëhen pjesë e këtij ekipi. Këto dy parti, Ekipin negociator të Kosovës e quajnë jo-legjitim.Ndërkaq, Ekipi negociator i Kosovës për dialogun me Serbinë, aktualisht ka mbetur pa punë për shkak të mosvazhdimit të dialogut në Bruksel, i cili ka ngecur dhe është bllokuar.