Shoqëria civile sot proteston

Organizatat e shoqërisë civile kanë paralajmëruar se sot nga ora 10:00 do të organizojnë protestë kundër Projektligjit për Financimin e Subjekteve Politike.

Përfaqësues të OSHC-ve kanë pohuar se në këtë orar, mblidhet Grupi Këshillëdhënës i themeluar nga Komisioni Parlamentar Ad-hoc për përmirësimin dhe forcimin e procesit zgjedhor.

“Ne organizatat e shoqërisë civile pas pezullimit të pjesmarrjës në këtë grup, në të njëjtën kohë protestojmë. Meqenëse Projektligji për Financimin e Subjekteve Politike nuk mund të shihet si pjesë e ndarë e Reformës Zgjedhore, dhe i njëjti rrezikon këtë proces, kërkojmë që projektligji të tërhiqet apo të mos votohet nga deputetët e Kuvendit të Kosovës”, thuhet në njoftimin e aktivistëve të shoqërisë civile.

Shoqëria civile dy ditë më parë ka njoftuar se pezullon pjesëmarrjen në punën e Komisionit Parlamentar Ad-hoc për përmirësimin dhe forcimin e procesit zgjedhor.

“Duke pasur parasysh zhvillimet e fundit në lidhje me Projektligjin për Financimin e Subjekteve Politike ne, organizatat e shoqërisë civile, anëtarë në Grupin Këshillëdhënës të themeluar nga Komisioni Parlamentar Ad-hoc për përmirësimin dhe forcimin e procesit zgjedhor në të cilin marrin pjesë Kryetarët e Grupeve Parlamentare, dëshirojmë të bëjmë të ditur për opinionin publik dhe të gjithë akterët relevantë të përfshirë në këtë proces, se do të pezullojmë pjesëmarrjen tonë në Grupin Këshillëdhënës deri në tërheqjen e këtij projektligji.

Ne vlerësojmë, se projektligji aktual është në kundërshtim me frymën kushtetuese dhe reformën zgjedhore të iniciuar nga Kuvendi i Kosovës. Projektligji degradon parimet kryesore të jetës politike duke rrezikuar integritetin e tërë procesit të reformës zgjedhore, përfshirë edhe cenimin e pavarësisë së Zyrës për Regjistrimin e Subjekteve Politike. Projektligji aktual dështon në adresimin e prioriteteve të Agjendës për Reforma Evropiane (ERA) për transparencë, llogaridhënie, zbatim dhe sanksionim efikas në financimin e partive politike, duke u mundësuar subjekteve politike të fshehin identitetin e kontribuesve financiarë të tyre, duke ngritur shumëfish lartësitë e këtyre kontributeve, duke ua zgjatur afatet për publikimin e raporteve financiare të fushatës dhe duke i zvogëluar gjobat, në rastet kur partitë e shkelin ligjin”, thuhet në njoftim.