Shoqëria civile u kërkon partive të mos fusin në lista për deputetë individë me aktakuza

Shoqëria civile ka kërkuar nga subjektet politike që në listat për kandidatë për deputetë, të mos përfshijnë njerëz që kanë probleme me ligjin.

Në tryezën me temë “Çfarë kandidatë ofrojnë partitë politike në zgjedhjet e vitit 2019?”, të organizuar nga Fondacioni Uestminster për Demokraci në Kosovë dhe Instituti i Kosovës për Drejtësi, është theksuar se qytetarët duhet të kenë mundësi të zgjedhin vetëm në mes të atyre, që janë kandidatë me integritet.

Fitim Mulolli u bëri thirrje partive politike që të mos përfshijnë në lista zgjedhore kandidatë me aktakuza.

Betim Musliu, nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, ka thënë se sistemi i drejtësisë në Kosovë u përgjigjet agjendave të caktuara, e jo të qytetarëve.

Degradimi në këtë sistem, sipas tij, ka vazhduar në pushtetin ekzekutiv, ku përzgjedhja e ministrave e zëvendësministrave është bërë edhe prej njerëzve që kanë pasur aktakuza e dënime.

Shumica e partive politike në vend kanë premtuar se nuk do të kenë kandidatë për deputetë që kanë aktakuza.

AAK-ja nuk e ka përjashtuar mundësinë që brenda listës së saj të ketë edhe njerëz me aktakuza, derisa LDK-ja, PDK-ja, e Vetëvendosje kanë mohuar një gjë të tillë.