Shpend Ahmeti njofton për ndërtimin e tri shkollave të reja në Prishtinë

Kryetari i komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti ka njoftuar lidhur me ndërtimin e tri shkollave të reja në Prishtinë, atë në lagjen Mat, Sofali dhe Veternik.

Ahmeti në një postim në rrjetin social Facebook shkruan se një ditë më parë ka dal njoftimi për fillimin e procedurave të tenderimit për tri shkollat.

“Dje ka dal njoftimi për fillimin e procedurave të tenderimit për tri shkolla të reja në Prishtinë, në Mat, Sofali e Veternik (afër Lagjes Qëndresa). E pas një vlerësimi mjedisor së shpejti edhe për shkollën e katërt në Arbëri afër Komunës se Re. Këto katër shkolla po bëhen në bashkëpunim me IFC (Banka Botërore) dhe për herë të parë në Kosovë me metodën PFI (Private Finance Initiative)”, shkruan Ahmeti.

Ai më tej shkruan se shkollat janë dizajnuar nga një kompania italiano-kolombiane e përzgjedhur nga Banka Botërore dhe do të jenë ndër shkollat më moderne në Kosovë.

“Faza e parë e tenderimit është parakualifikimi ku pastaj kompanitë që i kalojnë kushtet do të ftohen për të ofertuar. Me këtë e kompletojmë rrjetin primar të shkollave!”, shkruan ai. /Telegrafi/