Shpërndahet Kuvendi i Kosovës

Me 89 vota për, 1 kundër dhe 2 abstenime deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë votuar për shpërndarjen e legjislaturës së gjashtë, duke e çuar vendin në zgjedhje të parakohshme parlamentare.

Propozimi i deputetëve për shpërndarjen e Kuvendit, pason dorëheqjen e Ramush Haradinajt nga pozita e kryeministrit të Kosovës më 19 korrik, pasi që të njëjtën ditë kishte marrë ftesë nga Gjykata Speciale e Kosovës me seli në Hagë, për t’u intervistuar në cilësinë e të dyshuarit për krime lufte.

Seanca për shpërndarjen e Kuvendit filloi me “urimin” e kryetarit të Kuvendit, Kadri Veseli, i cili tha se kjo përbërje e legjislativit kishte në vete shumë deputetë dembelë.

Ai më pas hapi debatin, duke ia dhënë fjalën shefit të Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti.

Hoti tha se me shpërndarjen e Kuvendit po largohet edhe Qeveria e Kosovës, e cila sipas tij, njihet për rezultate minimale.

“Qeveria e PAN-it (koalicioni PDK, AAK dhe Nisma) do të mbetet në histori si qeveria më e madhe ne botë më 454 të emëruar politik, kryeministri me 35 këshilltarë, me 5 zëvendëskryeministra e me 80 zëvendësministra”, tha ndër tjera Hoti.

Pas fjalimit të Hotit, kryetari i Kuvendit, Veseli kërkoi mendimet e shefave të grupeve parlamentare nëse ka nevojë të ketë debat, apo vetëm nga një deklaratë të grupeve parlamentare para se të shkohet në votimin e mocionit të shpërndarjes.
Megjithatë, disponimi ishte që të shkohet drejtpërdrejtë në votimin e mocionit, çka rezultoi me vendimin për shpërndarjen e Kuvendit.

Sipas Kushtetutës së Kosovës, shpërndarja e Kuvendit në këtë rast, mund të realizohet më dy të tretat e votave të deputetëve (80 vota). Nëse deputetët do të votojnë dhe Kuvendi do të shpërndahet, pritet që presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi më pas të caktojë edhe datën e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.

Në nenin 66 të Kushtetutës thuhet se zgjedhjet e rregullta për Kuvend mbahen më së voni tridhjetë (30) ditë para përfundimit të mandatit, kurse në raste të shpërndarjes së Kuvendit, jo më vonë se dyzet e pesë (45) ditë pas shpërndarjes.

Që nga dorëheqja e Haradinajt, partitë politike kanë nisur një lloj fushate ende të pashpallur zgjedhore. Ndërkohë që janë arritur edhe koalicionet e para parazgjedhore, si dhe kanë nisur bisedimet ndërmjet partive politike për koalicione eventuale para apo pas zgjedhjeve.

Zgjedhjet e fundit parlamentare në Kosovë u mbajtën më 11 qershor, 2017. Sipas të dhënave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, numri i votuesve të regjistruar atë kohë ishte 1.888.059, kurse pjesëmarrja në zgjedhje ishte 43 për qind, apo 779,729 votues. Pas zgjedhjeve të vitit 2017, ishte konstituuar Kuvendi dhe më pas, më 9 shtator, ishte formuar edhe Qeveria e Kosovës, me Ramush Haradinajn kryeministër.

Përfundimi i mandatit të qeverive dhe legjislaturave të Kosovës para skadimit të mandatit kushtetues, katër vjeçar, tashmë është bërë “praktikë”, ngase që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës, asnjë qeveri nuk arriti ta përmbyllë mandatin kushtetues, çka sjell si rezultat mbajtjen e vazhdueshme të zgjedhjeve të parakohshme.

Por, para se të marrin vendimin për vetëshkarkim, deputetët votuar edhe vendimin e fundit gjatë këtij mandati të shkurtuar. Fillimisht, ata miratuan Projektligjin për ratifikimin e Marrëveshjes Financiare për IPA 2018 (Instrumenti i Paraanëtarësimit) ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian.

/REL, link: https://www.evropaelire.org/a/shperndarja-e-kuvendit-/30121899.html/