Shpërthen fabrika e eksplozivëve në Rusi, 38 persona të lënduar

Të paktën 38 persona janë lënduar pas një shpërthimi në fabrikën Kristall, në Rusi, që prodhon eksplozivë. Ky shpërthim ka ndodhur të shtunën në Dzerzhinsk.

Shkaqet që kanë çuar deri tek ky shpërthim ende nuk dihen.

Sipas mediave të huaja, nga ky shpërthim janë thyer dritaret e 200 shtëpive që gjenden afër kësaj fabrike, ndërsa katër persona të lënduar janë në gjendje të rëndë.

Zv/guvernatori i Nizhny Novgorod, Dmitry Krasnov, më herët kishte deklaruar se dy persona janë zhdukur, por më vonë njoftoi se kjo informatë nuk mund të konfirmohet, raporton The Guardian.

Përfaqësuesit e fabrikës kanë bërë të ditur se pesë punëtorë të kësaj fabrike kanë qenë duke punuar kur ka ndodhur shpërthimi, por që janë evakuuar më pas. Ndërkohë, ende nuk ka informata se ku ndodheshin të lënduarit kur ndodhi shpërthimi.