Shpërthim i fuqishëm në Nashville të ShBA-së, tre të lënduar

Një shpërthim i madh ndodhi të premten në Nashville të Shteteve të Bashkuara, duke shkatërruar disa ndërtesa dhe duke lënë të plagosur tre persona. Autoritetet thanë se shpërthimi ishte i qëllimshëm.

Kryetari i qytetit, John Cooper, tha: “Dëshmitë fillestare tregojnë se ishte shpërthim i qëllimshëm i bombës në komunitetin tonë”, shkruan The Guardian

Gjatë një konference të shkurtër në mëngjes, FBI-ja tha se do të zhvillojë hetime së bashku me Zyrën për Alkool, Duhan, Armë Zjarri dhe Mjete Shpërthyese. Personat e lënduar nuk janë në rrezik për jetë.

Zyrtarët e sundimit të ligjit gjithashtu thanë se afër vendit të shpërthimit kanë gjetur mbetje që dyshohet se janë pjesë e trupit të njeriut.

Autoritetet thanë se kanë pranuar një telefonatë paralajmëruese se një automjet i parkuar do të shpërthejë brenda 15 minutave.

Një mesazh paralajmërues jepej me zë nga automjeti që më vonë shpërtheu. Në këtë paralajmërim thuhej: “Kjo zonë duhet të evakuohet. Nëse po e dëgjoni mesazhin, evakuohuni tash”.

Pasi policia i evakuoi njerëzit përreth, automjeti shpërtheu, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale në disa ndërtesa./express