Shqipëri, homazhe për ushtarakun që humbi jetën në Letoni

Në Shqipëri është mbajtur ceremonia zyrtare e homazheve në nderim të ushtarakut shqiptar, Klodian Tanushi, 39 vjeç, që humbi jetën në Letoni, ndërsa sot në vend është shpallur ditë zie kombëtare me vendim të Këshillit të Ministrave të Shqipërisë, raporton Anadolu Agency (AA).

Ceremonia në ambientet e Muzeut Historik Kombëtar në Tiranë u mbajt nën kujdesin e Ministrisë së Mbrojtjes së Shqipërisë, ndërsa bënë homazhe zyrtarë të lartë të vendit, si presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, kryeministri Edi Rama, ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka, drejtues të Forcave të Armatosura të Shqipërisë, si dhe ushtarakë.

Kryeministri Rama u shpreh gjatë fjalës në ceremoni se “Klodiani ishte në një mision paqeruajtës e jetëshpëtues dhe la jetën e tij për të mos lejuar që jetë të tjera të humbisnin. Klodiani i ngjiti shkallët e karrierës një nga një si anëtar i denjë i Forcave tona të Armatosura, si njëri i përkushtuar dhe fisnik”.

Ministrja e Mbrojtjes e Shqipërisë, Olta Xhaçka, tha se jeta dhe vepra e major Klodian Tanushit flasin vetë.

“Klodiani zgjodhi t’i shërbente Forcave të Armatosura dhe vendit në një nga sektorët më të vështirë të saj, në strukturën e grupit special të asgjësimit të municioneve. Zgjodhi të shërbente në këtë repart të vështirë, por me një mision shumë fisnik e human, për të shpëtuar jetë të tjera. Major Tanushi e përmbushi me nder këtë mision duke sakrifikuar edhe jetën e tij”, u shpreh Xhaçka.

Pas ceremonisë zyrtare trupi i pajetë i Tanushit që u shpall dëshmor u përcoll me nderime ushtarake për në Varrezat Dëshmoreve në Tiranë.

Tanushi që ishte komandant i kontingjentit shqiptar u plagos më 6 maj në Letoni gjatë një shpërthimi të municioneve, ndërsa shërbente në kuadër të misionit të NATO-s, dhe ai ndërroi jetë më 10 maj. Gjatë ngjarjes humbi jetën edhe ushtarakja shqiptare Zarife Hasanaj dhe u plagos rreshter Julian Kapaj.

Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë janë angazhuar dhe marrin pjesë aktive në misione të ndryshme jashtë vendit, si pjesë e operacioneve të drejtuara nga NATO, BE dhe OKB.

Sipas të dhënave zyrtare nga Ministria e Mbrojtjes e Shqipërisë, që prej qershorit të vitit 2017, në grup-batalionin e NATO-s në Letoni, kanë shërbyer 4 kontingjente shqiptare, ndërkohë që kontingjenti aktual është nisur në dhjetor të vitit 2018 për të shërbyer rreth 6 muaj, raporton Anadolu Agency (AA).