Shqipëri, partitë opozitare protesta në disa qytete

Partitë opozitare të Shqipërisë kanë mbajtur protestën e radhës antiqeveritare, ku kanë bllokuar për rreth dy orë disa akse kryesore rrugore në vend.

Mbështetësit e opozitës të udhëhequr nga ish-deputetët e Partisë Demokratike (PD) dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim (LSI) kanë bllokuar qarkullimin si shenjë e mosbindjes civile ndaj qeverisë në akset kryesore kombëtare në disa qarqe të vendit

Gjatë zhvillimit të protestave ka pasur edhe tensione, djegie gomash dhe përplasje mes protestuesve me policinë.

Protestat janë mbajtur në Tiranë në rrethrrotullimin “Shqiponja”, por edhe në qarqet e tjera të vendit si në Elbasan, Fier, Korçë, Shkodër, etj.

Lideri i opozitës dhe njëkohësisht kryetari i Partisë Demokratike të Shqipërisë, Lulzim Basha, ishte në Qarkun e Elbasanit, ku gjatë fjalës së tij tha se “kjo betejë është për t’i dhënë fund tranzicionit të tejzgjatur të Shqipërisë”.

“Ne jemi sot në këtë betejë për t’i dhënë fund makthit ekonomik e të varfërisë që ka pllakosur kudo. Do t’u japim të rinjve dhe të rejave të vendit perspektivën e Shqipërisë si e gjithë Evropa. Kjo betejë që kemi nisur së bashku ka transformuar Shqipërinë në një mënyrë përfundimtare dhe themelore. Ne jemi bashkë për të hapur së bashku derën e Shqipërisë si gjithë Evropa”, u shpreh Basha.

Protestat e sotme ashtu si edhe protestat e kaluara janë organizuar nga Partia Demokratike e Shqipërisë dhe Partia Lëvizja Socialiste për Integrim, mbështetur nga parti të tjera opozitare, të cilat insistojnë në krijimin e një qeverie tranzitore dhe mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme.

Ndërkohë qindra forca policore u angazhuan në të gjitha akaset e bllokuara nga protestuesit, duke devijuar qarkullimin rrugor dhe shmangien e incidenteve përgjatë protestave.

Partitë opozitare në Shqipëri që pas dorëzimit të mandatave parlamentare në muajin shkurt kanë organizuar disa protesta që u përfshinë edhe nga tensionet, ndërsa insistojnë në krijimin e një qeverie tranzitore që do të organizojë sipas tyre zgjedhjet e parakohshme, raporton Anadolu Agency (AA).