Shqipëri: Sekuestrohen rreth 14 milionë dollarë pasuri nga aktivitete kriminale

Policia shqiptare tha të hënën se sekuestroi pasuri në vlerën e rreth 14 milionë dollarëve të cilat dyshohet se janë përfituar në rrugë kriminale dhe lidhen me shtetasin shqiptar Arian Shanaj, banues në Fier.

Operacioni policor erdhi pas një vendimi të Gjykatës së Fierit, e cila pak ditë më parë, vendosi sekuestron preventive të pasurive të paluajtshme të Shanajt dhe personave të tjerë, familjarë të tij.

Sipas policisë shqiptare, pasuritë e sekuestruara që lidhen me Arian Shanaj përfshijnë 3 shoqëri tregëtare ndërtimi dhe tregtimi të gazit që vepronin në Fier, Durrës, Tiranë, Korçë etj,

Në pasuritë e sekuestruara, sipas policisë, janë edhe 1 hotel tre katësh në Fier dhe një njësi shërbimi bashkëngjitur, 2 vila tre katëshe, 5 njësi shërbimi me sipërfaqe 7 982 m2,3 apartamente banimi,4 garazhe me sipërfaqe prej 1 092 m2, në Fier, Tiranë, Durrës, 8 793 m2 tokë, në Tiranë, Durrës, Fier, një automjet me vlerë 50.000 dollarë dhe rreth 25 000 dollarë në llogaritë bankare.

Sipas policisë, Shanaj ishte arrestuar në qershor të vitit 2017 nga policia greke së bashku me një shtetas grek, pasi u kapën me 20 kg kokainë, me vlerë të përafërt tregu rreth 1milionë dollare.

Policia shqiptare tha se, “shtetasi shqiptar dhe shtetasi grek merreshin me importimin, magazinimin, përzierjen, falsifikimin, ricertifikimin, trafikimin, transportimin dhe shpërndarjen e kokainës nga vende të Amerikës Latine”.

Policia e Shtetit tha se menjëherë pas arrestimit në Greqi dhe shkëmbimit të informacionit me palën greke, nisën hetimet ndaj shtetasit shqiptar për veprën penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale”.

Të dhënat e publikuara asajkohe në shtypin grek, të cilat u referoheshin autoriteteve policore greke, bënin fjalë se drejtuesit e organizatës kishin komunikim të drejtëpërdrejtë me një kartel droge në Kolumbi që merrej me trafikun e kokainës.

Droga, sipas policisë greke, pasi vinte nga Amerika Latine në Ballkan, përpunohej në Kosovë dhe në Shqipëri dhe magazinohej në zonën e Trikallas në Greqi për t’u shpërndarë në disa prej ishujve turistikë grekë. / VOA