Shqipëria nis hetimet për ndërtimet pa leje dhe shpërdorim të detyrës

Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta ka thirrur mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare për të diskutuar për situatën e krijuar nga tërmeti i 26 nëntorit. Mbledhja e Këshillit të Sigurisë Kombëtare u zhvillua në institucionin e presidencës dhe në të morën pjesë udhëheqësit e institucioneve kryesore të vendit.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, presidenti Meta bëri me dije se në mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare u diskutua për një bashkëveprim dhe koordinim më të ngushtë midis të gjitha institucioneve për përballimin e emergjencës deri në rivendosjen e normalitetit të plotë.

“E mbështetëm prokurorinë të çojë përpara hetimet dhe të vendosë para përgjegjësisë penale të gjithë ata që do të rezultojnë përgjegjës. Të sigurojmë burimet e brendshme dhe mbështetjen e duhur ndërkombëtare për tejkalimin e pasojave të rënda të këtij tërmeti të tmerrshëm”, shkruan presidenti.

Edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama gjatë mbledhjes së Qeverisë u ka bërë thirrje ndërtuesve të godinave të dëmtuara që të dalin përpara dhe të paguajnë për sanimin ose ndërtimin e ndërtesave të dëmtuara, në mënyrë që t’i shmangen burgut.

“Duhet të bëj një apel për të gjithë ata që kanë ndërtuar godina kolektive dhe që sot hynë te godinat e dëmtuara, jo të rrezikshme, por të dëmtuara, që të paraqiten vet urgjentisht në zyrën përkatëse të drejtuesit të plotfuqishëm për emergjenca apo në zyrën e shtabit të emergjencës në Durrës dhe të bëjnë deklaratën e gatishmërisë për t’i paguar një për një vet godinat. Të gjitha riparimet, nga ato sipërfaqësoret deri te dëmet materiale që ju kanë shkaktuar njerëzve, për shkak të dëmtimeve natyrisht, jo për gjitha të tjerat. E bëj këtë apel sepse shumë shpejt do të jetë vonë për ta. Kush do t’i shmanget këtij detyrimi do të jetë i akuzuar drejtpërdrejtë përpara organeve të drejtësisë”, tha kryeministri Rama.

Ai njoftoi se në fund të javës, përfaqësues të grupeve të ekspertimit të godinave do të paraqesin për publikun informacione dhe raste konkrete dhe “për tipologji të ndryshme ndërtimesh, për të shpjeguar se nga çfarë duhet të kihet dhe nga çfarë s’duhet të kihet shqetësim”.

Në anën tjetër, bëhet e ditur se Prokuroria e Durrësit dhe ajo e Tiranës kanë regjistruar mëngjesin e së hënës çështjen penale, e cila i referohet tërmetit të 26 nëntorit.

Të dy prokuroritë po hetojnë nëse pasojat kanë ardhur si shkak i ndërtimeve pa leje dhe të moskryerjes së detyrës nga inxhinierët zbatues dhe personave përgjegjës, si dhe nga mospërmbushja e rregullt e detyrës nga nëpunësit shtetëror të ngarkuar me mbikëqyrjen e këtyre ndërtimeve.

Çështja është ngritur për veprat penale “Ndërtim pa leje” dhe “Shpërdorim detyre”.

Grupe ekspertësh të huaj të thirrur nga qeveria po vijojnë të vijnë për të ndihmuar në procesin e vlerësimit teknik të godinave, ndërsa godinat që përbëjnë rrezik kanë nisur të shemben qëllimisht nga autoritetet.

Deri më tani rezultojnë të jenë afër nëntë mijë qytetarë të prekur nga tërmeti. Mbi 2300 janë sistemuar nëpër hotelet me të cilat qeveria ka bërë marrëveshje, ndërsa mbi 4800 të tjerë janë strehuar pranë të afërmve të tyre. Mbi 900 banorë janë ende në çadrat e ngritura nëpër lokacione të ndryshme, ndërsa mbi 800 po qëndrojnë në qendrat sociale.

Tërmeti me magnitudë 6.3 që goditi Shqipërinë në mëngjesin e së martës la të vdekur 51 persona dhe mijëra të plagosur. /REL/